TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Në Roskovec po vijon puna për rikonstruksionin e rrugës në lagjen Drizë në Vidhisht, e cila u vjen në ndihmë qindra banorëve të kësaj zone.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla dhe kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi inspektuan sot punimet që po kryhen në këtë rrugë.
Balla theksoi se, ndërhyrja në këtë segment përfshin zgjerimin e rrugës, sistemimin e kanaleve anësore, trotuareve, asfaltimin dhe vendosjen e sistemit të ri të ndriçimit.
“Kjo është një lagje me shumë banesa. Ne urbanizojmë pjesën kryesore të saj, ndërkohë që e gjithë kjo zonë merret me bujqësi, ndaj sa më shumë të investojmë në infrastrukturë, aq më lehtë banorët nxjerrin prodhimet në treg”, tha ai.
Ndërsa kryebashkiakja Bufi vlerësoi se, ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm për gjithë zonën.
“Me të ardhurat e bashkisë ne po e realizojmë këtë investim që presim ta përfundojmë brenda muajit”, tha ajo.
/m.m/ /gj.m/r.e/























