Ballina Flash

Përurohet kisha e restauruar katolike në Rubik

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Komuniteti Katolik në Rubik do të mbajë meshën e Krishtlindjes në kishën e rehabilituar falë programit “EU4Culture”.

Siti i parë i kompletuar nën “EU4Culture” u inaugurua mbrëmë në prani të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, ministres së Kulturës Elva Margariti, Dom Gjergj Metës, ambasadorëve të TeamEurope dhe autoriteteve lokale, njoftoi sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ministrja Margariti tha se, “është me të vërtetë domethënëse që objekti i parë i përuruar, ndër ndërhyrjet e Programit “EU4Culture” është jo thjesht një monument kulture, por një objekt me një rëndësi të veçantë shpirtërore; një objekt shprese”.

“Restaurimi i kishës së T’Shëlbuemit në Rubik, është një ogur i mirë për programin EU4Culture të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Nuk është thjesht një restaurim çatie apo fasade, por një investim që sheh përtej mureve”, u shpreh ajo.

“Së bashku me ambasadorin Soreca, e miq që na nderuan në këtë ceremoni, iu bashkuam gëzimit të komunitetit, të cilit iu rikthye kjo shtëpi e përbashkët, që i ka rezistuar shekujve”, përfundoi Margariti.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

Zbatuar nga UNOPS, EU4Culture synon të rehabilitojë dhe rigjallërojë trashëgiminë kulturore shqiptare të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Paralelisht, punimet kanë nisur edhe në 5 objekte të tjera: Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, Kisha e Rodonit, Ura e Kurçajt në Krujë, Kulla Veneciane dhe Hamami në Durrës.

 

/a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë, 20 raste pozitive me COVID-19
Artikulli tjetërNdërmarrjet e huaja në Shqipëri, 60.7 % nga vendet e BE-së