SHBA – Biden: Të paktën një dozë vaksine antiCOVID-19 për 70% të të rriturve

UASHINGTON, 4 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan Joe Biden vendosi sot një objektiv të ri vaksinimi për SHBA-në: të paktën një dozë vaksine për 70% të të rriturve deri në festën kombëtare të 4 korrikut.

“Arritja e këtij qëllimi do të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si amerikanët kalojnë verën”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

“Do të ketë shumë më pak kufizime shëndetësore”, theksoi ai.

Pas niveleve rekord të vaksinimit, numri i përditshëm i personave që vaksinohen kundër COVID-19 po bie në SHBA, duke i detyruar autoritetet të rishikojnë strategjinë e tyre për të arritur indiferentët dhe skeptikët.

Në vend të qendrave të mëdha të vaksinimit në stadiume, autoritetet tani po e vënë theksin te klinikat lëvizëse dhe shumëzimi i pikave të vaksinimit sa më afër amerikanëve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.