“Zayed-Flatrat e Veriut”/ Aeroporti i Kukësit edhe vend kujtese, ditë fantastike për gjithë shqiptarinë

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Një ditë fantastike për Kukësin, Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarinë e cilësoi Kryeministri Edi Rama ditën e sotme, që shënon edhe uljen e avionit të parë në aeroportin e Kukësit.

Në një takim me banorë të Kukësit, pas uljes së avionit të parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”, Rama foli për këtë projekt madhor dhe rëndësinë e tij për gjithë zonën, por edhe më tej për Kosovën.

“Unë jam real, sapo kam pasur kënaqësinë e jashtëzakonshme të zbres nga një avion real në këtë aeroport real në një grup njerëzish realë, që ma kanë lexuar librin e shtëpisë me më shumë pasion se gjithë të tjerët, sa herë flisja për aeroportin e Kukësit”, tha Rama.

Kryeministri tha se njëri prej tyre quhej Edi Rama dhe ishte me PD-në.

“Emrin e gjatë e kishte Eduard por e thërrisnin Edi. E pyeta ‘si e more mundimin ta hash këtë rrenë dhe të vish me aeroplan 3D?’. ‘Nuk kam çfarë të them, nuk e kisha besuar, por ta shohim deri në fund a po e mban llafin’, – më tha. Tani, – i thashë, – ka dy rrugë, ose bashkë do ikim në botën tjetër dhe nuk do ta marrim vesh e mbajta apo jo llafin, ose unë do mbaj llafin. ‘Ta shohim’, më tha. Tjetri ishte demokrat, ishte veshur dhe me blu. Tha: ‘jo, e mbajte llafin, por ne demokratët kemi një gjë, ne po nuk e pamë nuk e besojmë’. Po këta u shaluan në rrena 30 vjet nga ata që i udhëheqin dhe prapë vazhdojnë. I treti më tha: ‘Ka ndonjë vend për patronazhist te PS, se unë nuk jam duke u kthyer më?'”, tha Rama.

“Për hir të së vërtetës, në radhë të parë dua të jap një shpjegim, sepse thonë çfarë është Zayed. Quhet “Zayed – Flatrat e Veriut”, sepse nuk është thjesht një aeroport i ri, është njëkohësisht edhe një vend kujtese dhe godina e këtij aeroporti është njëkohësisht edhe një tempull i kujtesës së kësaj zone, por edhe i këtij komuniteti të madh shqiptarësh nga Prishtina në Tiranë dhe kudo jetojnë shqiptarët”, tha Rama.

Ai tha se “pikërisht në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë dhe u dyndën drejt Shqipërisë, ku Kukësi ishte stacioni më i populluar”.

“Në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga gjithë bota, por edhe dikush që sot është Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili është i biri i një prej burrave më të urtë që ka njohur kjo botë, Sheikut Zayed, që me një vizion gjenial arriti t’i japë jetë atyre që sot ne i njohim si Emiratet e Bashkuara Arabe. I ati e nisi të birin që shoqërohej nga ai që sot është kryeministër i Dubait. Ishin të dy të rinj dhe erdhën këtu për t’u kujdesur drejtpërdrejtë për refugjatë e luftës”, tha Rama.

“Plaku i urtë kishte dhënë urdhër që në krye të herës, që urgjentisht të hapej pista dhe gjurma e kësaj piste, që është gjurma e kësaj historie të jashtëzakonshme solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë dhe përkujdesjes për t’i mbiejtuar barbarisë së spastrimit etnik”, vijoi Kryeministri.

Rama tha se “Princi i Kurorës e kujton edhe sot e gjithë ditën se si i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste: bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave, që asnjë familje mos t’u mungojë ushqimi, uji dhe në shpërndarjen e këtij solidariteti të mos ndodhë që askush të ndiejë një dallim për arsye fetare, se të gjithë që janë aty, Zoti i ka bërë motra dhe vëllezër”.

Natyrisht, vijoi Rama, “kjo porosi e atij plaku të urtë mbeti dhe do të mbetet përjetë në këtë truall, një pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.