Ballina Flash

Vjosa zonë e mbrojtur, nuk ndërtohen HEC-e

TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “në 2022-in ne do të kemi ujë të pijshëm 24 orë me cilësi në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, përveç Tiranës që mund të marrë më tepër kohë deri në 2023 për shkak të kompleksitetit”.

I ftuar në një studio televizive, Rama foli për premtimin për ujin e pijshëm, ndërsa theksoi se aktualisht kemi 128 kantiere për ujin e pijshëm.

“Në opozitë ti bën një plan bazuar në çfarë sheh të mundshme sipas vetes, pastaj vjen në qeveri dhe gjen realitet komplet tjetër nga ai i lexueshëm. Ne vijmë në qeveri dhe gjejmë në histori komplet tjetër, një mal me borxhe, FMN-në që thotë ulni rrogat e pensionet se do falimentoni dhe detyrohemi të hyjmë në një kurs komplet tjetër në raport me kursin që kemi imagjinuar. Ndaj thonë se fushata është poezi dhe qeveria prozë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “ne gjetëm 23 strategji kombëtare, 78 dokumente strategjikë. Filluam ristrukturimin e ujësjellësave, projektet dhe investimet dhe sot që flasim ne jemi në kushtet kur kemi 128 kantiere të hapura”.

Lidhur me debatin për Vjosën, Rama tha se, “debatin për Vjosën e kemi nisur ne, e kemi çuar para dhe zonë të mbrojtur Vjosën e kemi shpallur ne”.

“HEC-e në Vjosë nuk ndërtohen, se ndryshe nuk do ishim në gjyqe me historinë e Saliut. 11 HEC-e në Valbonë, anuluam 9 që nuk kishin filluar akoma. Dy që kishin filluar nuk kishim çfarë tu bënim dhe përsëri na kthehet ne. Vjosa është zonë e mbrojtur dhe ka vetëm një pikë që ne duhet ta kemi të qartë se HEC asnjëherë nuk mundet dot të ndërtohet, që në gjithë atë luginë të madhe ne të frenojmë agroturizmin”, tha Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSondazhi i Euronews për Fierin/ PS do të merrte 53% të votave, PD 27.8% dhe LSI 3.7%
Artikulli tjetërMosrespektimi i masave antikovid gjatë takimeve/ Basha: Bëj thirrje për mbajtjen e maskës dhe distancë