TIRANË, 1 prill/ATSH/ Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, sondazhi i katërt i MRB për Euronews Albania tregon se Partia Socialiste do të merrte 53 % të votave në Qarkun e Fierit.
Në rezultatin e sondazhit publikuar mbrëmjet e sotme, Partia Demokratike rezulton se ka 27.8 % të votave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 3.7 %. Pjesa tjetër e votuesve është e ndarë në 5 % për parti të tjera, 5.6 % thonë se nuk do të votonin, 4.2 % janë ende të pavendosur kurse 0.7 % refuzojnë të japin një përgjigje.
Në qarkun e Fierit, diferenca mes PS dhe PD është 25.2 % ndërsa elektorat i pavendosur ende janë 10.5 % e votuesve. Në krahasim me rezultatin e sondazhit në nivel kombëtar, PS ka një rritje prej gati 12 %, ndërsa PD ka rënie me 3 %. Rënie ka edhe LSI pasi nga 7.6 % në rang kombëtar në Fier rezulton me 3.7 %.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku tri partitë kryesore garuan gjithashtu të vetme, PS mori 57.15 % të votave, PD 25.68 % ndërsa LSI me 11.73 %.
Në bazë të përgjigjeve specifike për votuesit e papërcaktuar, analiza e të dhënave të sondazhit tregon se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PS do të merrte 59.2 % të votave, ndërsa PD del me 31.1 %. LSI rezulton me 4.1 %, Nisma Thurje me 1.7 % dhe partitë e tjera së bashku 3.9 %.
Ky rezultat i përkthyer në ndarjen e 16 mandateve të qarkut të Fierit, del se PS do të siguronte 11 mandate ndërsa PD 5 mandate.
Në krahasim me ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të fundit, rezulton se PS dhe PD i kanë marrë nga një mandat LSI pasi ndarja ishte PS 10 mandate, PD 4 dhe LSI 2 mandate.
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën, Partia Socialiste do të rezultonte forcë e parë në qarkun e Elbasanit duke marrë shumicën e mandateve.
Sondazhi i MRB-së për Euronews Albania tregoi se shumica e qytetarëve në qarkun e Elbasanit kanë prirje të votojnë: PS – 44.8 %, PD – 36.4 %, LSI – 5.3 % , të tjera – 3.9 % dhe të pavendosur – 9.6 %.
Krahasuar me prirjen e rangut kombëtar, në qarkun e Elbasanit vihet re një ulje (nga 7.6 %) të votave drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe rritje drejt të dyja forcave kryesore PS dhe PD. Sipas projeksionit të MRB, duke marrë në analizë edhe votat e të pavendosurve, LSI nuk merr asnjë mandat në Elbasan, ndërsa partitë e tjera pritet të marrin: PS – 8 mandate PD – 6 mandate.
/Euronews/r.e/






















