TIRANË, 1 prill/ATSH/ “25 prilli nuk është një betejë midis meje dhe Edi Ramës. Nuk është një përballje në një betejë midis ne të dyve. Është një betejë për ju. Është një betejë për jetën tuaj! Është një betejë për familjen tuaj! Është një betejë për fëmijët tuaj! Është një betejë për punën tuaj në qoftë se e keni dhe sigurinë që do të vazhdoni ta keni dhe për rrogën tuaj dhe sa para do të keni në xhep”. Kështu deklaroi Kreu i PD, Lulzim Basha gjatë një interviste televizive mbrëmjen e të enjtes.
Sipas tij, këto zgjedhje janë një betejë për Shqipërinë Europiane, që të gjithë e dimë është garancia që këtu të kemi përherë demokraci, të kemi një politikë me fytyrë njerëzore dhe një ekonomi normale”.
Sa i përket mos respektimit të masave antikovid gjatë takimeve, Basha tha se “ka një numër shumë të madh njerëzish që dalin spontanisht në rrugë ndërkohë që unë shkoj në aktivitete. Si kundër unë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe jam i pari që në mënyrë rigoroze mbaj maskën, bëj thirrje për mbajtjen e maskës, bëj thirrje për distancë , aktivitete i kryej në vende të hapura. Kur i kam në vende të mbyllura i kam me normat me numrin e kufizuar të personave. Por nga ana tjetër e kam të pa mundur të kufizoj entuziazmin e njerëzve që vijnë dhe ky është një moment për tu analizuar”.
Lidhur me vaksinimin antikovid, Basha tha se “vaksinimi është i domosdoshëm dhe unë kam kërkuar që në korrik të merreshin masat për sigurimin e vaksinimit anti-COVID dhe për sigurimin e vaksinimit antigripal, të gripit sezonal. Ta nis nga kjo e fundit se na çon tek i pari. Thanë sollëm 200 mijë doza, gënjyen, sepse nuk kanë administruar as 1/10 e tyre. Dhe po t’i kishin administruar, të jeni të sigurt që mijëra nga ata që janë ndarë nga jeta dhe që nuk i shpallin mund të ishin mes nesh sot sepse do i mbronin. Sepse kombinimi i dy grupeve është edhe më vdekjeprurës”.
Që të eci procesi i vaksinimit, tha Basha, ka nevojë për dy gjëra: transparencë dhe besueshmëri, që janë të lidhura me njëra-tjetrën.” Nuk mund të kesh vaksinim kur ti thua mora 500 doza, por nuk jua them dot se nga. Nuk mund të kesh transparencë kur ti nuk u thua njerëzve që marrin dozën e parë kur do ta marrin të dytën”.
Pra, mungon transparenca dhe kjo ka sjellë mungesën e besueshmërisë. Vaksinimi nuk bëhet me detyrim. Njerëzit duhet të kenë besim që vaksina është, siç besoj unë, një nga mënyrat kryesore për të luftuar pandeminë dhe ndryshimi kryesor që do të sjellë qeveria ime këtu është që vaksinimi nga një proces i shëmtuar shfaqe politike. Po ti heqësh Edi Ramës vaksinimin, rindërtimin dhe Bashën, nuk ka fushatë”, tha ai.
Basha shtoi se “nga nga një proces i keqpërdorur politikisht do të jetë një proces i cili do të udhëhiqet nga shkencëtarët. Dua të ndaj një lajm këtu. Në momentin që flasim përveç shkencëtarëve shqiptarë, epidemiologëve shqiptarë kam një ekip në dispozicion, nga institucionet që akuzon Edi Rama për fushatë, prej 4 ekspertësh perëndimorë të cilët do të na ndihmojnë që procesin e vaksinimit ta vendosim në shinat e duhura”.
/r.e/























