Ballina Aktualitet

Festat e Fundvitit/ Mbi 15 000 shtetas kanë hyrë në Shqipëri nga Gjirokastra dhe Korça gjatë 24 orëve të fundit

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Mbi 15 000 qytetarë shqiptarë dhe të huaj kanë mbërritur në vendin tonë përmes pikave kufitare të Gjirokastrës dhe Korçës gjatë 24 orëve të fundit.

Zyra e shtypit e Policisë së Korçës bëri të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë në vendin tonë nga pika kufitare e Kapshticës 6 793 persona dhe kanë dalë 1 625 shtetas të huaj dhe shqiptarë.

Prej disa ditësh në këtë pikë kufitare po punohet me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje. Nga Qafa e Thanës raportohet se intensiteti ka qenë në kuotat normale ditore, nuk ka pasur shtim të numrit të qytetarëve që kanë hyrë apo janë larguar nga vendi ynë përmes kësaj pike kufitare.

Një numër më i lartë emigrantësh është regjistruar në pikën kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër. Zyra e shtypit e Policisë së Gjirokastrës njoftoi për ATSH-në se, gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës janë përpunuar, hyrje dhe dalje, 10 637. Nga këto, janë regjistruar 8 892 në hyrje, dhe 1 745 në dalje. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMandzukiç thumbon Sarri-n, falënderon Allegri-n dhe Marotta-n
Artikulli tjetërFRANCË – Vazhdojnë kufizimet me shërbimin e transporteve