LONDËR, 3 dhjetor /ATSH-MIA/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis kërkoi që BE-ja të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke akuzuar Francën për bllokimin e procesit.
Në një intervistë për “Financial Times”, të publikuar sot, Mitsotakis e kritikoi vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron në tetor për të bllokuar miratimin e datës për fillimin e negociatave.
“Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet”, theksoi Mitsotakis.
“Në kohën kur ishte në opozitë, Mitsotakis e kritikonte Marrëveshjen e Prespës, nëpërmjet të së cilës Maqedonia e Veriut ra dakord me Athinën për ndryshimin e emrit në këmbim të hapjes së rrugës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, thekson e përditshmja.
Pyetjes së “Financial Times” për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, Mitsotakis iu përgjigj se ishte i shqetësuar dhe do të vazhdonte të ishte.
“Jam i shqetësuar dhe do të vazhdoj të jem i shqetësuar. Mendoj se për këtë arsye vendimi i Këshillit Europian duhet të shqyrtohet në vitin 2020”, theksoi ai.
“Vendimi i Macron për vendosjen e vetos në zgjerimin e mëtejshëm të BE-së ka prekur kryeqytetet e tjera, mes të cilëve Berlinin”, shtoi FT.
Mitsotakis i bëri thirrje Macron që ta shohë zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si qëllim gjeopolitik, ashtu si kanë bërë paraardhësit e tij në Paris për promovimin e anëtarësimit të Greqisë para katër dekadave.
“Nëse e shohim në kontekstin më të gjerë gjeopolitik, është shumë e qartë se duhet të ruhet e hapur rruga europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të përmbushin kërkesat, sepse ky nuk është proces automatik”, theksoi Mitsotakis.
“A ishte e gatshme Greqia për anëtarësim në atë periudhë? Kush e di. Dhe gjithsesi procesi realizohej shumë më ndryshe në atë kohë. Por ishte vendim gjeopolitik dhe ishte vendimi më i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, nëse shihet retrospektiva”, deklaroi Mitsotakis për FT.
Kryeministri grek, gjithashtu, e kritikoi deklaratën e Macron se NATO-ja ishte në gjendje të vdekjes klinike./ /ec/ a.jor.






















