TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/Edhe pse kthimi në normalitet duket i largët për të prekurit nga tërmeti, fëmijët janë ata që morën guximin të rikthejnë atmosferën e festave në arkivin e shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Qendror Shtetëror, Ardit Bido informoi se “Kthimi në normalitet për shumë të prekur sot duket një fjalë e largët. E me zemër, mendje dhe veprime duhet të jemi pranë tyre! www.e-albania.al/dhuro. Mirëpo, është edhe kategoria tjetër: çdo fëmijë që edhe pse pa dëme e me shtëpi mbi kokë sot na do solidarë me ato pak që mundemi për të shmangur ankthin, stresin dhe traumat. Ndaj, nga sot çdo prind e gjysh është i mirëpritur të sjellë fëmijët në arkiv, në një tur arkivash të hapura, që do të mësojnë, argëtohen e informohen siç duhet në përditshmërinë e tyre”.
Bido tha se pasuria arkivore është interesante kur prezantohet si argëtim nga stafi i arkivit për fëmijët.
“Sot, e nisëm me fëmijët e stafit sepse mami e babi duhet të ishin në punë, si shenjë jo thjesht detyre por edhe atdhetarie në këto ditë më shumë se kurrë! E pasuria arkivore është interesante kur prezantohet si argëtim nga stafi i përkushtuar i arkivit.
Pemën e Vitit të Ri nuk kishte asnjë të rritur sivjet që kishte guximin moral ta vendoste në arkiv, por fëmijët e vendosën vetë e duke e parë, kuptojmë edhe ne, që jeta e fëmijëve duhet të vazhdojë në normalitet. Pa zhurmë, pa fjalë boshe, pa show. Fëmijët na frymëzojnë”, -shprehet drejtori i AQSH. z.tosku/ /a.g/





















