Ballina Flash

​Policia e Kosovës me plan operacional për zgjedhjet e jashtëzakonshme

PRISHTINE, 4 tetor/ATSH/- Policia e Kosovës njofton se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Policia sqaron se do të marrë masa të nisjes së procedimit të çdo vepre penale kundër së drejtës së votimit dhe ndaj atyre që nuk respektojnë ligjet e vendit për zgjedhje të lira e demokratike.

Në njoftimin e policisë, thuhet se kanë marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-së dhe institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces.

“Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces. Njëkohësisht PK-ja do të marrë masa të inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në një njoftimin e Policisë së Kosovës.

Plani operacional i policisë parashikon krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Planifikimi operativ ka parashikuar implementimin dhe realizimin e operacionit nga periudha parazgjedhore, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të policisë së materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe njëherësh të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – Strategjia e Johnson nxit çoroditje  
Artikulli tjetërThaçi telefonatë me Ambasadorin Grenell: Trump, përkushtim për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë