Takimi i Helsinkit, Mogherini: BE duhet të ketë qasje të qëndrueshme për negociatat me Shqipërinë

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ – “Bashkimi Europian duhet të ketë një qasje të qëndrueshme kur është fjala për marrjen e vendimeve si hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, deklaroi sot Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini.

Në një konferencë pas takimit joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Helsinki, ajo tha se, “ne patëm kënaqësinë të mirëpresim kolegët tanë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, gjashtë partnerë nga rajoni. Kjo është një formë që është përdorur edhe më parë. Nuk është formati tradicional i përdorur gjatë katër-pesë viteve të kaluara lidhur me ftesën për përfaqësuesit e vendeve kandidate. Kjo nuk krijon një precedent. Thjesht ne sot donim të diskutonim zhvillimet në rajon, integrimin, bashkëpunimin në rajon dhe këtë donim ta bënim së bashku me partnerët tanë në rajon. Këtë e bëjmë disa herë në nivele të ndryshme. Dhe ne i mirëpritëm të gjashtë”.

“Ne patëm një bisedë intensive, të gjallë, konstruktive me ta gjatë së cilës ne theksuam rëndësinë e të qenit konsekuent nga ana e tyre, vazhdimin e reformave, proceset pajtuese dhe bashkëpunimin rajonal mes tyre. Gjithashtu, u theksua nevoja e pasjes së një qasje të qëndrueshme nga ana e BE-së, veçanërisht kur është fjala për marrjen e vendimeve si hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, vendimin për të punuar në Këshill për liberalizimin e vizave për Kosovën si dhe theksuam nevojën qe Prishtina dhe Beogradi të kthehen në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja. Jam e inkurajuar nga fryma pozitive që u shpreh gjatë takimit si nga partnerët tanë, ashtu edhe nga vendet anëtare”, tha Mogherini.

E pyetur në lidhje me një afat për liberalizimin e vizave për Kosovën, Mogherini u shpreh se, “liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është një mister. Komisioni Europian i ka rekomanduar Këshillit se ka ardhur koha për të marrë një vendim për liberalizimin e vizave me Kosovën. Tani i takon Këshillit të marrë një vendim. Ja kujtova ministrave se unë besoj se është koha e duhur për qytetarët e Kosovës ta shohin një gjë të tillë. Kam qenë edhe vetë në Prishtinë, dy vjet më parë. Shpresoj se vendet anëtare do ta marrin një vendim të tillë sa më shpejt, sepse kërkesat e tyre janë plotësuar”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.