Sot dita e derbit “Partizani”- “Tirana”

TIRANË, 30 nëntor/ ATSH-A. Fortuzi/- Kryeqyteti i Shqipërisë sot do të jetë i mbërthyer nga emocionet e derbit “Partizani”- “Tirana”, që do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Mes dyshimeve të formacionit, tifozëve dhe problematikave të tjera që shoqëron gjithnjë një derbi të “flaktë” si ai mes “Demave të kuq” dhe “bardhebluve”, ora e të vërtetës po afrohet dhe fjalët do ti lënë vendin fushës dhe veprave.

Trajneri Ardian Mema në konferencën e prag sfidës ka theksuar se derbi mund të jetë momenti i kthesë së madhe për skuadrën më të titulluar në vend, që po kalon një krizë të thellë, duke mos fituar prej shumë javësh tashmë.

“E thashë kur erdha, pasi doja të jepja një mesazh për lojtarët: dua të bëj ndeshje të forta, si derbi me “Partizanin”. Është një ndeshje me histori të madhe dhe përcjell mesazh te lojtarët. Edhe kur kam qenë futbollist i doja ndeshjet e forta. Çdo gjë varet nga futbollistët, por edhe nga unë. Bashkë me lojtarët e shohim si ndeshje radhe, edhe pse ka peshën e vet. Lojtarët duhet të bëjnë detyrat, si në çdo ndeshje. Karikimi për këtë ndeshje është. Tre pikë vlen “Partizani”, si çdo ekip tjetër. Që kur lashë futbollin, tifozët kanë dhënë spektakël dhe ne nuk e kemi shijuar. Më shumë ka pasur spektakël në shkallë. Ata kanë luajtur më mirë se lojtarët. Shpresojmë që spektakli këtë herë të jetë në fushë”, tha Mema.

Duke folur për mungesën e Hoxhës te të kuqtë, Mema shprehet se çdo lojtar ka peshën e vet. “Hoxha është një ndër portierët më të mirë. Ky presion është te Partizani, u mungon një titullar. Duhet të veprojmë mirë para portës, qoftë me Albanin, apo me atë tjetrin. Kjo është pjesa ime e punës, duke mos marrë në konsideratë kush luan në portë. Nuk ka trajner që nuk do që ekipi të mos luajë mirë. Kemi bërë mirë në lojë, por nuk mjafton. Po pres rezultate, unë edhe futbollistët. U bë kohë e gjatë pa fituar. Na ka munguar një fitore. Do ishte kënaqësi po të fitojmë në derbi”, tha tekniku bardheblu. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.