Shqipëria dhe Kosova, forcim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ – Ministritë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kosovës vijojnë përpjekjet për të përmirësuar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke realizuar projekte të përbashkëta në emergjencat civile, arsimimin e stërvitjen dhe sigurinë kibernetike.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ministrin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Ministri Berisha e siguroi Presidentin Meta se me ndryshimet ligjore të fundit për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës nuk realizohet thjesht dhe vetëm ndryshimi i emërtimit, por garantohet ndërtimi i një Force multietnike, profesioniste, të mirëpajisur dhe me kapacitete, e aftë për të marrë përgjegjësitë e Kushtetutës së Kosovës, për sovranitetin dhe sigurinë e vendit.

Presidenti Meta shprehu mbështetjen e Tij për përpjekjet legjitime të institucioneve të Kosovës për transformimin e FSK në Forca të Armatosura.

Presidenti Meta inkurajoi institucionet dhe aktorët kryesorë të Kosovës për vijimin e dialogut, konsultimeve dhe bashkëpunimit me SHBA, BE, NATO-n dhe vendet e rajonit.
Presidenti Meta shprehu besimin se Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, përveç garantimit të sovranitetit të vendit do të kontribuojnë edhe për paqen e stabilitetin e rajonit.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.