Spiropali: Largimi i kazinove, nismë që i shërben sigurisë

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali apeloi sot në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend për t’iu rikthyer politikës reale të terrenit dhe jo asaj të telenovelave si “Babalja”.

“T’u kthehemi ndryshimeve ligjore për sigurinë në burgje, për pikat e basteve, për regjistrimin e fëmijëve. Çështjet që e kthejnë vëmendjen nga politika e telenovelës tek politika reale e terrenit”, – tha Spiropali.

“Ky projektligj për Gjendjen Civile i jep zgjidhje problematikave për të pasur detyrim ligjor regjistrimin e fëmijëve pavarësisht vullnetit të prindërve. Do ngrihet njësia për mbrojtjen e fëmijëve. Ndryshimet ligjore për sigurinë në burgje dhe largimi i kazinove është një nismë që i shërben sigurisë. Ne me krimin nuk bëjmë politikë. Përdorimi dhe manipulimi kriminal, ku opozita ka zhytur përfaqësues të saj, nuk imagjinohet që një parti të futet aq shumë në gjirizet e krimit për të nxjerrë fakte të manipuluara për të goditur qeverinë. Pushteti merret me votë dhe jo me telenovela. Telenovelat orientale në TV kanë ndikuar tek psikika e opozitës. Ne e luftojmë krimin me masa konkrete”, – tha Spiropali.

Duke folur për çështjen Babale, Spiropali theksoi se, “duhet mbajtur përgjegjësi deri në fund. Duhet që Prokuroria dhe Gjykata të jetë e qetë për të bërë detyrën. Duhet ta kthejmë politikën dhe opozitën në binarët e duhura”.

“Kryetari i opozitës sulmon egërsisht Prokurorinë e vendit. Dy aktorë të drejtuar nga një regjisor dhe skenarist janë regjistruar kanë dalë tashmë me prova dhe fakte nga Prokuroria si të përfshirë në një konspiracion. Kjo ka ndikuar rëndë në mënyrën se si të rinjtë, gratë, burrat e këtij vendi e shohin politikën. Politika është një profesion që synon që t’u ndryshojë jetesën njerëzve”, – tha Spiropali.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.