Ballina Aktualitet

Ndryshimet ligjore, Hysi: Qeveria përmbush rekomandimet për të drejtat e fëmijëve

TIRANË, 11 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Qeveria, Rama 1 dhe Rama 2, kanë përmbushur pjesën më të madhe të rekomandimeve në mbrojtje të fëmijëve, por parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve mbetet një sfidë dhe kërkon shumë për të bërë”, – u shpreh nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Duke folur për ndryshimet ligjore dhe miratimin e projektligjit të Gjendjes Civile, Hysi tha se të drejtat e fëmijëve dhe shërbimi ndaj tyre është në vëmendje të kësaj mazhorance.

“Në nëntor të vitit 2013, Kuvendi miratoi një rezolutë për të drejtat e fëmijëve dhe angazhimin e parlamentarëve në mbrojtjen e fëmijëve. Dhe në vitin 2014 një grup deputetësh krijuan grupin e deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, grupim jopartiak, i fokusuar për të lobuar për mbrojtjen më të mirë të të drejtave të fëmijëve. Dhe në 2017, Parlamenti miratoi rezolutën për promovimin dhe monitorimin e përmbushjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm mes të cilëve është fëmija dhe mirëqenia e tyre”, – tha Hysi.

Në vijim, ajo shtoi se “kemi marrë një sërë angazhimesh për të drejtat e fëmijëve dhe për të forcuar kontrollin parlamentar për respektimin e të drejtave të fëmijëve. Kemi marrë një sërë angazhimesh për të kontrolluar më mirë qeverinë, për një mbrojtje më të mirë të të drejtave të fëmijëve pa diskriminim. Çfarë ka bërë Kuvendi i Shqipërisë nga momenti i miratimit të rezolutës në mbrojtje e të drejtave të fëmijëve?”

“Nga 10 masa, 8 prej tyre janë zbatuar, por ka ende shumë për t’u bërë. Një nga rekomandimet dhe angazhimet tona ka qenë regjistrimi i fëmijëve, një nga problemet e pazgjidhura për 25 vite. Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Gjenevë në tetor të 2012, i ka paraqitur qeverisë shqiptare një sërë rekomandimesh për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve. Qeveria, “Rama 1” dhe “Rama 2” po përmbush pjesën më të madhe të rekomandimeve. Kështu krahas miratimit të ligjit për të drejtat e fëmijëve dhe falë Reformës në Drejtësi përmbushëm pjesën më të madhe të rekomandimeve, por parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve është një sfidë për të cilën ne ende kemi shumë për të bërë”, – theksoi Hysi.

Duke folur për nismat e ndryshimeve ligjore, Hysi tha se “të dy nismat, qoftë projektligji nga Këshilli i Ministrave, qoftë nga projektligji i propozuar nga 19 deputetë adreson tre probleme madhore. E para, mundëson situatën e fëmijëve të lindur jashtë vendit. E dyta, zgjidh problemin e çregjistrimit të personave të cilët janë të vdekur prej vitesh dhe nuk kanë mundur të bëjnë procedurën familjare dhe e treta, u mundëson shtetasve tanë për të kryer procedurën e regjistrimit të shtetasve në vendbanimin ku banojnë dhe shteti ka në inventar shtetasit ku banojnë për të rregulluar më mirë buxhetin në nivel vendor. Këto nisma, përmbushin një sërë nismash të institucioneve ndërkombëtare, por sot Kuvendi përmbush rekomandimin e Komiteti të Mbrojtjes së Fëmijëve, i cili i sugjeron qeverisë shqiptare regjistrimin e fëmijëve, regjistrimin e të gjithë fëmijëve në shkolla dhe të zbatohen sanksione për mosregjistrimin e tyre. Sot me këtë projektligj zgjidhim një problem 25-vjeçar”, – tha Hysi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINDONEZI – FMN: Roma të ndjekë rregullat e klubit europian për çështjen e buxhetit
Artikulli tjetërSpiropali: Largimi i kazinove, nismë që i shërben sigurisë