Ballina Aktualitet

Sa më shumë përshkallëzohet lufta ndaj krimit, aq më shumë përshkallëzohet avazi i shpifjeve

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Kemi përgjysmuar shifrat e vrasjeve në vend, si dhe kemi mbi 5-fishuar sekuestrimin e pasurive nga asetet kriminale”, deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Rama u ndal te lufta kundër krimit në vend, duke sjellë shifra konkrete të suksesit të qeverisë.

“Nga 97 vrasje në vitin 2012, sot vrasjet janë përgjysmuar. Ne e gjetëm Shqipërinë me një mesatare mbi 80 vrasje në 4 vjet, ndërsa sot ka nën 50 vrasje në 4 vjet. Në Tiranë, në 2013 u vranë 31 persona, ndërsa vjet 9 dhe sivjet 5; në Shkodër mesatarja e 4 viteve të tyre ishte 15 vrasje në vit, 4 vitet e fundit është 8 vrasje; në Elbasan në 2010 ishin 11 të vrarë, ndërsa në 2017 dhe 2018 vetëm 1 i vrarë”, tha Rama.

Por sipas tij, pavarësisht këtyre fakteve, avazi vazhdon në dritaret e SHQUPI-t për drogën e krimin dhe kjo me jehonë edhe në mejhanet mediatike, kanal më kanal e portal më portal.

Sa më shumë përshkallëzohet lufta frontale e Policisë së Shtetit ndaj krimit, aq më shumë përshkallëzohet avazi i shpifjeve, tha Rama.

Kryeministri kujtoi po ashtu se nga viti 2005-2013, në 8 vjet u sekuestruan 27 milionë euro asete kriminale, ndërsa nga 2014 e deri më sot janë sekuestruar 5 herë më shumë.

“Ne që sekuestrojmë 5-fishin e aseteve qenkemi të lidhur me krimin, ndërsa ata duan të zgjidhin Shqipërinë nga zinxhiri i krimit kanë sekuestruar në 2013 vetëm 1.2 milionë euro”, shtoi Rama.

Kryeministri shtroi po ashtu pyetjen se përse nuk flet më njeri për kanabis. “Sepse kanabisi u çrrënjos përfundimisht. E gjithë makineria thuajse 30-vjeçare e asaj industrie kriminale u shkatërrua, pikërisht sepse ne e luftuam kanabisin si askush më parë, duke i hapur një luftë frontale sistematike në çdo zonë të vendit, jo një shfaqje këtu, një atje, një sot, një pas një viti”, tha Kryeministri.

Por edhe për këto suksese, sipas Ramës, qeveria u sulmua dhe u baltosë si askush më parë.

E njëjta gjë, tha ai, po ndodh tani për krimin, sepse si askush më parë ne e kemi trazuar keq krimin. “Ne po godasim dhe po shtrëngojmë eksponentë dhe grupe që janë krijuar e fuqizuar prej shumë vitesh, dhe njësoj si makineria e industrisë së kanabisit, ndiejnë gjithnjë e më pranë qafës frymën e goditjes”, tha Rama.

Megjithatë njësoj në të dyja rastet, Kryeministri theksoi se “akuzuesit janë ata që nuk bënë asnjë gjë, as kundër kanabisit, as kundër krimit”. “Si ata që ishin në qeveri apo në banaqet e salloneve VIP të klubeve mediatike, nuk u morën kurrë me kanabisin dhe krimin. Lazarati ishte normalitet shtetëror, pjesa tjetër nuk ekzistonte, ndërsa krimi ishte thjesht pjesë e lajmeve. Kur ne filluam të merremi seriozisht me kanabisin, plasi një zhurmë a thua se nuk ishte një drogë që mbillej e trafikohej prej çerekshekulli”, shtoi ai. /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Slloveni, partneritet midis diplomacive ekonomike
Artikulli tjetër“Festa e Integrimit”, Shqipëria përkrah 9 kulturave të tjerave në Gjermani