Ballina Kosova

 Hoxha: Programi “Europa për qytetarët”, rast për aplikim në fondin 187 milionë euro



Prishtinë, 13 Korrik/ATSH/- Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Europa për qytetarët”, i propozuar nga ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, u miratua sot nga qeveria e Kosovës.

Kjo marrëveshje është nënshkruar më 26 qershor 2018 në Bruksel. Fondi i agjencive të BE-së për këtë program është 187 milion euro dhe i kushtohen fushave si; ndërgjegjësimi për historinë dhe vlerat e përbashkëta europiane; angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare; debati i së ardhmes së Europës dhe sfidimi i euro skepticizmit; nxitja e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, viti europian i trashëgimisë kulturore 2018, etj.

Kjo marrëveshje, vuri në dukje ministrja Hoxha, rregullon anëtarësimin e Kosovës në kuadër të programit “Europa për qytetarët” dhe sipas saj, Kosova do të paguajë anëtarësimin prej 15 mijë euro, të cilat janë të planifikuara në kuadër të buxhetit të këtij viti për Ministrinë e Integrimit Europian.

“Pasi të realizohet marrëveshja dhe pagesa e anëtarësimit, organizatat dhe qytetarët nga Kosova mund të aplikojnë gjatë këtij viti në thirrjet për propozime, të cilat shpallen nga ky program”, theksoi Hoxha.

Ministrja po ashtu, kërkoi ratifikimin në Kuvend të këtij projektligji para pushimeve verore, sepse kështu do ta mundësonte hyrjen në fuqi të marrëveshjes dhe fillimi i qasjes së aplikuesve nga Kosova në program për të përfituar fonde nga ky program./k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSekretet e njerëzve të lumtur
Artikulli tjetërSHKUP – Zaev: Integrimi në NATO do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajon