SHKUP, 13 korrik /ATSH-MIA-AA/ – Marrëveshja krijon miqësi dhe bashkëpunim, por edhe perspektiva për qytetarët e të dy vendeve, theksoi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një deklararë për agjencinë e pavarur ballkanike të lajmeve (IBNA), pas nënshkrimit të ftesës për integrimin e Maqedonisë në NATO.
“Integrimi në NATO do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe do të kontribuojë në rritjen e investimeve në të gjithë rajonin”, theksoi Zaev.
“Rezultatet do të jenë pozitive si për qytetarët e Greqisë ashtu edhe për qytetarët e Maqedonisë. Nga ky aspekt, dëshiroj edhe njëherë të përmend rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja krijon miqësi dhe bashkëpunim, por edhe perspektiva për qytetarët e të dy vendeve”, shtoi kryeministri maqedonas.
Zaev u bëri thirrje qytarëve grekë dhe maqedonas të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga marrëveshja që do të krijojë një të ardhme më të mirë për Greqinë dhe Maqedoninë.
“Gjithsesi në fund të procesit, pas zbatimit të referendumit dhe pas ndryshimeve në Kushtetutë, ne do të quhemi Maqedonia e Veriut.
“Paralelisht, ashtu si Greqia pranoi termat gjuha dhe populli maqedonas, ashtu edhe ne pranuam termin maqedonas grekë me veçoritë e trashëgimisë së tyre kulturore. Jam i bindur se miqësia që kemi ndërtuar, mund të sjellë vetëm rezultate pozitive për gjeneratat e sotme dhe për gjeneratat e ardhshme”, nënvizoi Zaev në deklaratën për IBNA-n.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dorëzoi zyrtarisht ftesën kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, për fillimin e negociatave për anëtarësim në Aleancë, pas vendimit të djeshëm të aleatëve të NATO-s në Bruksel.
Stoltenberg, i cili nënshkroi ftesën, me anë të të cilës informoi kryeministrin Zaev për vendimin e NATO-s theksoi se për shumë vite pjesëtarët e forcave të armatosura të këtij vendi kanë marrë pjesë në misionet aleate.
Ai përmendi ndihmën e Maqedonisë për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan./
/ec/























