FOTO/Kishat në Dhërmi e Himarë, destinacion promovues i turizmit religjioz

TIRANË, 26 Maj/ATSH/.- Bukuritë natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore e kanë bërë Dhërmiun dhe Himarën ndër më të vizituarat nga grupet e turistëve vendas e të huaj.

Për kryetarin e bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, të gjitha këto vizita kanë veçori dhe karakteristika të ndryshme dhe më së shumti zhvillohen për bukuritë e natyrës, detit dhe plazheve të shumtë që ka riviera e kësaj zone.

Në një postim në Facebook, Goro ndan me ndjekësit vizitën e një grupi besimtarësh të Kishës Ortodokse.

“Me arsyen sepse falë tyre dhe këtij lloji turizmi religjioz, kërkojmë të kemi një numër të madh turistësh, gjatë gjithë muajve të vitit. Siç e shihni Kishat tona janë një destinacion mjaft tërheqës dhe promovues për vizitorët, përveçse të mbushura plot me ta. Dhe kjo natyrshëm kërkon që këto kisha duhet të jenë të hapura për të gjithë vizitorët, për të gjithë ata që kanë vërtet interes për t’i parë ato dhe që të kryejnë edhe ritet e besimit të shenjtë ortodoks”, thekson Goro.

Kryetari i bashkisë së Himarës kërkon edhe vëmendjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare për të asistuar me staf të përgatitur, për të përballuar interesimin e turistëve vendas dhe të huaj për të vizituar këto kisha, veçanërisht gjatë muajve të stinës së verës, kohë kur Himara vizitohet nga miliona turistë të huaj dhe vendas./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.