Ballina Ekonomi

11 milionë euro për agroturizmin, pasuria më e madhe që sjell zhvillim

TIRANË, 22 Maj/ATSH/.- Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote, theksoi sot në Tepelenë se “pasuria më e madhe që do të sjellë zhvillim në qarkun e Gjirokastrës është agroturizmi. Prandaj ju ftoj të aplikoni për 100 agrobiznese, pasi vetëm atëherë do të ndryshojë situata e punësimit dhe do të marrë zhvillim kjo zonë”.

Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar për prezantimin e projekteve të reja zhvillimore për qarkun e Gjirokastrës, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, zv/ministri Kote u shpreh se “me 11 milionë euro që ka projekti i impaktit për agroturizmin sot është një pasuri e madhe që kryetarët e bashkive dhe fshatarët të bëjnë një plan zhvillimi që të tërheqin dhe të mbajnë gjallë jetën e mirëqenien e zonave të tyre”.

Kote u shpreh se “duke iu dhënë deri në 60% të vlerës nëse aplikojnë me një plan biznes me certifkatë të pronësisë, ne jemi të gatshëm të asistojmë për të nxjerrë të gjithë procedurën tjetër, pra duke siguruar edhe fondin e garancisë nga Banka pa patur kolateral”.

Sipas tij, përfundimisht duhet t’i japim jetë kësaj zone.

Zv/ministri Kote tha se “unë jam i gatshëm me gjithë stafin, Ministrinë e Mjedisit, Energjetikës jemi katër zv ministra dhe katër ministra në dispozicionin tuaj t’u japim asistencë jo me fjalë, por duke ardhur dhe bërë një plan strategjik për Tepelenën”.

“Nëse kanë aplikuar vetëm pesë biznese për agrobiznes në qarkun e Gjirokastrës dhe janë kualifikuar do të thotë se janë shumë pak, kur mund të ishin 100, pra është një rezervë shumë e madhe”, nënvizoi zv/ministri.

Zv/ministri Kote solli edhe shembullin e një francezi që në Ballaban ka ngritur një qendër të agroturzimit, i cili ia ka ditur vlerën fitimit.

“Pra nëse dikush aplikon me një projekt e me një hartë që do të bëjë Tërmeti dhe gjithë kryetarët e bashkive ku do të zhvillohet agroturizmi ne jemi të gatshëm që gjithë infrastruktura dhe qeveria t’i mbështesim”, përfundoi ai./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Në ankand një vazo e rrallë e perandorit Qianlong
Artikulli tjetërAgroturizmi minierë e pashfrytëzuar, mbështetje 13 fshatrave për krijimin e modeleve