TIRANE, 22 maj/ATSH-Maela Marini/-Në qarkun e Gjirokastrës, janë 13 fshatra që do të mbështeten specifikisht për të krijuar modele për zhvillimin e agroturizmit.
Nga Tepelena, kryeministri Edi Rama premtoi mbështetjen e qeverisë për projektet në agroturizëm pasi sipas tij, “kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para”.
“Aty ku duket sikur varfëria është dënim i përjetshëm, kemi minierën e bukurisë së vendit tonë dhe këtyre zonave. Një familje që jeton në fshatrat e Tepelenës mund të bëjë para, jo për të mbijetuar, por për të pasur mirëqenie me bukurinë natyrore dhe traditën e mikpritjes”, tha Rama.
Kryeministri përmendi shembullin e Nivicës, ku kishin mbetur vetëm 30 familje dhe mund t’i blejë shtëpitë edhe me 2 milionë lekë të vjetra, ndërsa sot numri i familjeve është trefishuar”.
“Ata e kanë kuptuar se agroturizmi është një mundësi e madhe për ekonomi dhe për të fituar shumë më tepër se ata që sot janë në emigracion në Greqi dhe po i kthejnë shtëpitë nga rrënoja të izoluara në pika turistike”, tha Rama. /a.g/























