TIRANE, 19 maj/ATSH/- Një nga akset rrugore më problematike të qytetit të Kukësit është drejt përfundimit të punimeve. Bashkia Kukës po zgjidh përfundimisht problemin më shqetësues, jo vetëm për tregtarët por edhe për përdoruesit e shumtë të këtij aksi, të cilësuar si unaza veriore e qytetit.
Kryetari i Bashkise, Bashkim Shehu gjatë inspektimit të punimeve theksoi se ky investim është një prej premtimeve të mbajtura të mandatit të tij, duke realizuar në një kohë të shkurtër njërin prej prioriteteve të qytetit.
Kryebashkiaku Shehu tha se krahas këtij investimi të rëndësishëm, këtë vit do të nisin edhe projekte të tjera infrastrukturore siç janë rikonstruksionet e shkollave të fshatrave Shtiqen e Mamëz dhe rikualifikimi urban i lagjeve 4 dhe 5 të qytetit.
Sipërmarrësi i punimeve po hedh shtresën e dytë të asfaltit në segmentin rrugor nga “Shote Galica deri tek ish Parku i Ri.
Një pjesë e trotuareve tashmë është drejt përfundimit. Mbjellja e pemëve ka përfunduar e po punohet edhe për vendosjen e ndriçimit. Gjithashtu, ky segment do të ketë edhe sinjalistikën bashkëkohore të rrugës, duke kompletuar në tërësi këtë investim.
Investimi prej rreth 97 milionë lekë të reja është siguruar nga Bashkia Kukës përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Afati i përfundimit të punimeve sipas kontratës është 31 Dhjetori i këtij viti, por ashtu siç ishte premtuar ky investim do të mbyllet brenda muajit Qershor ose gjashtë muaj para afatit./a.g/























