Shkrihen drejtoritë bujqësore

281

TIRANE,13 Mars/ATSH/- Nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të shkrihen 13 drejtoritë e bujqësisë si dhe do të nisin nga puna agjencitë rajonale.

“Kemi marrë vendimin për të finalizuar reformimin e strukturës së vjetër dhe të degraduar të drejtorive të bujqësisë. Nga sot nuk do të kemi më drejtori të bujqësisë dhe kalojmë nga 13 drejtori bujqësie që ishin një sistem parazit i degraduar, atavizëm i të shkuarës në 4 plus 4 agjenci rajonale”, deklaroi Kryeministri në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë .

Agjencitë janë konceptuar 4 si agjenci të legjislacionit bujqësor dhe 4 agjenci rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve.

Kryeministri informoi se një nga agjencitë e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve do të ketë si qendër Elbasanin.

“Nëpërmjet këtij procesi reformimi ne do të forcojmë agjencinë për zhvillim bujqësor rural më shumë dhe do të organizojmë më mirë shërbimin e këshillimit bujqësor. Krijojmë një instrument real në duart e atyre që kanë nevojë për këshillim bujqësor dhe garanci nga pikëpamja e shërbimeve veterinare dhe mbrojtjes së bimëve”, theksoi kreu i Qeverisë.

Rama shprehu bindjen se këto agjenci do të sjellin një vlerë të shtuar dhe një proces që do të përmirësojë në vazhdimësi sigurinë ushqimore

“Jemi shumë të vendosur të garantojmë në tërësi të gjithë zinxhirin që e përbën këtë sektor jetik për vendin dhe këtë motor kaq potencial ende të pashfrytëzuar si duhet për zhvillimin ekonomik e social të vendit./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.