TIRANE, 16 Shkurt /ATSH/- Sektori bankar në Shqipëri është kthyer në një aktor gjithnjë e më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien sociale në ekonominë e vendit.
“Me një vlerë të shtuar prej 3.1% të PBB-së nga sektori financiar dhe një vëllim i financimit për agjentët ekonomikë që llogaritet në vlerën 40.5 % të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, bankat mund të konsiderohen tashmë sistemike në aspektin makroekonomik dhe si një motor rritjeje për ekonominë”, citon raporti me temë “Kontributi i sektorit bankar në ekonomi dhe shoqërinë civile” publikuar së fundi nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Sipas këtij raporti, huaja e përgjithshme ndaj sektorit privat dhe individëve është rritur 8.8 herë nga viti 2004 në 2016-ën, ndërsa mjetet (asetet) e bankave kanë arritur vlerën sa 95 % e PBB-së.
Kreu i Shoqatës së Bankave Spiro Brumbulli, shprehet për ATSH-në se, Bankat janë motori lëvizës i zhvillimit financiar dhe këto institucione financiare ndërmjetësuese janë një instrument në zbutjen e fërkimeve ndërmjet agjentëve ekonomikë dhe shpërndarjes optimale të burimeve në ekonomi.
Sipas tij, në përputhje me strukturën e përgjithshme ekonomike, bankat shërbejnë për të hapur rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme.
Nëpërmjet këtij studimi analitik të kërkuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, ekipi i ekspertëve nderkombëtar ka diagnostikuar kontributin më të fundit të bankave në ekonominë dhe shoqërinë
shqiptare për periudhën 2004 – 2016, duke mbledhur dhe shfrytëzuar të gjitha të dhënat që ndodhen në dispozicion dhe duke synuar hartimin e parashikimeve mbi potencialin e zhvillimit
financiar – sinergjia e rritjes ekonomike në të ardhmen.
Qasja metodologjike e përdorur për hartimin e këtij studimi është në përputhje të plotë me objektivin kryesor të hulumtimit, për të kuptuar ndikimin dhe zgjerimin pozitiv të sektorit bankar në shoqërinë dhe në ekonominë shqiptare.
Kontributi i bankave në ekonomi vlerësohet nga pikëpamja e rolit të bankave në financimin e aktiviteteve prodhuese që garantojnë mbështetje për rritjen ekonomike të vendit. Ndërkohë, kontributi në shoqëri vlerësohet duke matur ndikimin social të aktivitetit të bankave në përputhje me agjendën e Përgjegjësive Sociale të Korporatave dhe rolin e tyre strukturor për kontributin e dhënë në financat publike.
Ky studim nis me analizën e funksionit dhe rëndësisë së bankave në mbështetje të rritjes ekonomike dhe zhvillimit social të Shqipërisë, e ndjekur me analizën e perspektivave të zhvillimit
të sektorit bankar në një kontekst rajonal dhe në optikën e kontributit aktual të industrisë financiare. Përfundimet mbi ndikimin pozitiv ekonomik dhe social të bankave do të bazohen
në supozimet kryesore që lidhen me sektorin bankar modern dhe krahasimin me gjendjen aktuale në Shqipëri. Komentet përfundimtare do të trajtohen në kuadër të aspekteve kryesore
të rolit të sektorit bankar në ekonominë e vendit. e.xh/ /a.g/























