– Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, MKRS-ja ndau çmimet për letërsi-
PRISHTINË, 16 Shkurt/ATSH/.- Shkrimtari Rushit Ramabaja u nderua me çmimin vjetor për vepër jetësore “Azem Shkreli”, me motivacionin “si një autor i gjithanshëm me një korpus prej 36 veprave letrare në pesë zhanre të ndryshme, romane, novela, tregime, drama, poezi, kritikë letrare, ese dhe monografi”.
Ky çmim iu dha shkrimtarit Ramabaja në ceremoninë e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kuadër të aktiviteteve për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku u ndanë çmimet kombëtarë për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe për çmimet vjetore për Letërsinë.
Juria e përbërë nga Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi, ka vlerësuar se Rushit Ramabaja si një autor sui generis bën pjesë në panteonin e vlerave krijuese kombëtare dhe nderohet me çmimin “Azem Shkreli”, i cili ka edhe një vlerë financiare prej pesë mijë eurove.
Laureati Ramabaja u shpreh se “ndjehet i lumtur natyrisht në qoftë se ka arritur t’ia përçojë lexuesit sadopak mesazhin e të mirës, të bukurës dhe të humanes”.
“E ndjejmë veten të nderuar natyrisht që sot në 10 vjetorin e shtetësisë së Kosovës, të Dardanisë sonë të moçme po e marrim këtë vlerësim pikërisht nga njerëzit tanë, pikërisht nga Ministria jonë e Kulturës, pikërisht nga shteti ynë që në themelet e tij u flijuan aq breza gjatë shekujve e deri te të rënët e UÇK-së”, tha Ramabaja.
Me çmimin për prozë “Anton Pashku” u nderua shkrimtari Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”, që sipas jurisë, autori në këtë vepër trajton njëkohësisht temën e luftës dhe atë të dashurisë.
Fabula e kësaj vepre nuk është produkt i imagjinatës, por ka përbërës të realitetit përbrenda dhe një strukturë sentimentale.
Ndërsa çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” iu dha dy shkrimtarëve: Ismail Syla për veprën poetike “Atdheu im i ngrysur” që përmes saj elokuencës lirike përmbyll epizmin duke pasur si pikë fillestare verbin jo vetëm petk popullor dhe për poetin Ragip Syla për veprën “Kam drojë për ty” si njërin prej zërave reprezentativ të poezisë shqipe me një bartje të shenjës filozofike e meditative.
Juria ka vlerësuar se për këtë vit çmimi për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”, të ndahet në dysh për shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” për tregimet që bartin dhe gërshetojnë mesazhin për jetën e rinisë; respektivisht Avni Deharin për përmbledhjen e tregimeve “Flakadanët e Lirisë” që përçon mesazhin përmbajtjesor për historinë e lavdishme të epokës së Skënderbeut.
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu dha Arben Veselajt për studimin “Tema Kadareane”, i cili ka analizuar dhe i ka zbërthyer veçantitë stilistike dhe gjuhësore të publicistikës dhe eseistikes së tërë opusit eseistik të Ismail Kadaresë.
Kurse çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” shkoi për Orjela Stefasanin për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet” të Ernesto Sabatos.
Këtë vepër juria e ka vlerësuar se ka arritur ta tejkalojë sfidën e përkthimit të një libri problematik në aspektin tematik dhe terminologjik, të cilat përkthyesja ka arritur t’i sjellë në një shqipe të rrjedhshme gjuhën bashkë me konceptet e autorit.
Secili nga çmimet do të shpërblen me vlerë monetare nga 2,500 euro, kurse laureatët që ndajnë çmimin në një kategori shpërblehem me shumën prej 1250 euro. shpërblimet janë të përcaktuara sipas Rregullores nr. 06/2015 (MKRS) për Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi.
Ministri Gashi në fjalën e tij tha se “vlerësoj ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore, ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”.
“Ministria vit pas viti ka rritur përkrahjen për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e librit si një politikë kulturore e cila ka për synim avancimin dhe intensifikimin e artit letrar në vendin tonë”, tha Gashi./k.s/

























