TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se qeveria ka rritur investimet për përmirësimin e infrastrukturës shkollore në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, duke iu përgjigjur deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila foli për keqmenaxhim të arsimit në vend si dhe të fondeve për investime, Manastirliu tha se realitet është rritja e investimeve për rritjen e kapaciteteve të shkollave, në mënyrë që nxënësit të studiojnë në kushte më moderne, me teknologji bashkohore dhe laboratorë efektivë.
Sa i përket investimeve të reja, ministrja informoi se aktualisht po investohet në 40 shkolla në të gjithë vendin.
“Dua t’ju siguroj se jo vetëm masim performancën sa i përket investimeve, por tashmë, përmes investimeve në sistemet e teknologjisë dhe informacionit, konkretisht me ngritjen e sistemit SMIP, i cili është një prej sistemeve i lidhur me të gjithë rrjetin e laboratorëve inteligjentë që ne kemi në shkolla, bëhet i mundur evidentimi mbi bazë nxënësi i ecurisë në programin e kodimit, që do të thotë se në këtë mënyrë vlerësojmë eficiencën e investimeve të bëra”, tha Manastirliu.
Sipas saj, investimet në teknologji, rrjetin e laboratorëve smart, për digjitalizimin në tërësi, ndihmojnë brezin e ri për t’u përballur me sfidat e shekullit XXI.
/r.e/























