Ballina Ekonomi

Programi Kombëtar për bujqësinë, përpara fundit të këtij viti

TIRANË, 26 tetor/ATSH/- “Paralelisht me thirrjen e programit të ri, ne po punojmë për thirrjen e programit kombëtar në mënyrë që të përfitojmë kohë dhe të mos kemi vështirësinë e absorbimit të fondeve”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti për zhvillimin e agroturizmit të organizuar në Shkallnur, Durrës.

“Thirrjen për programin kombëtar do ta lançojmë përpara fundit të këtij viti dhe duke i dhënë mundësi vetes që të mund të bëjmë të gjithë ato seleksionime të nevojshme në pjesën e parë të vitit tjetër në mënyrë që të gjitha fondet e vëna në dispozicion të shpenzohen deri në qindarkën e fundit dhe të mos ketë nevojë në fund të vitit për të bërë alokime të tjera”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me këtë program dhe me programin tonë ne kemi financimin më të madh me herë të sektorit në vite. Shkojmë në një volum financimi, ku nuk është më çështja a kemi mjaftueshëm, por a do të jemi në gjendje që të absorbojmë në ekonominë rurale të gjitha këto fonde”.

Të mos harrojmë, vijoi ai, që vendet që i janë bashkuar unionit kanë pasur një periudhë të ndërmjetme me absorbim shumë të ulët të fondeve.

“Nëse shohim nivelin e absorbimit do të shohim që “çuditërisht” vendet më të zhvilluara Gjermania, Austria, Franca, etj kanë edhe nivelin më të lartë të absorbimit të fondeve, vendet e tjera deri tek Rumania e Bullgaria, apo Kroacia, që u bashkuan më vonë e kanë më të ulët në vitë edhe pse sot e kanë shumë të lartë seç e kishin në fillim. Pse, jo sepse ato që janë vende më të forta ju marrin lekët, sepse ato ndahen njësoj për secilin, por sepse ato dinë më shumë”, – theksoi Rama.

Duke nënvizuar se tani kemi një sfidë shumë të madhe, Rama tha se “sigurisht proporcioni i fondeve është i madh në raport me ne, por nuk është aq i madh sa të mos arrijmë dot të absorbojmë nëse do të jemi të mirorganizuar dhe nëse do të dimë të koordinojmë me investitorët potencialë dhe me sipërmarrësit që janë në proces të transformimit të iniciativave të tyre rurale, nga iniciativa që kanë nisur si iniciativa familjare, individuale në iniciativa që kthehen në iniciativa të mirëfillta industriale”. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAsnjë produkt shqiptar i kthyer mbrapsht në dogana
Artikulli tjetër10 gjërat që nuk duhet të prekni kur shkoni në spital