TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sqaroi përmes rrjetit X edhe njëherë vendimin për mbylljen e rrjetit social “TikTok” për të paktën 1 vit në Shqipëri. Njëkohësisht kreu i qeverisë i’u përgjigj drejtuesve të “TikTok”, të cilët pas vendimit të publikuar dje nga Rama, kërkuan sqarime mbi vendimin.
Vendimi për mbylljen e TikTok kryeministri Rama e ndërmorri pas një seri konsultimesh publike me prindër e nxënës, të cilat u realizuan pas ngjarjes së rëndë në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën Martin Cani, 14 vjeç.
Rama thekson se vendimi për mbylljen e TikTok është i këshilluar gjerësisht me komunitetin e prindërve dhe vetë TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut.
Rama e thekson se Shqipëria, si një vend demokratik, ka marrë këtë vendim duke u bazuar në kërkesat e shumicës së prindërve, të cilët shprehin shqetësimin për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve të tyre në këtë platformë.
Postimi i plotë i Kryeministrit Rama:
Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë.
TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.
Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku.























