Ballina Aktualitet

Opozita protestë tek bashkia, Blushi: Të organizohemi fort, askush mos ta besojë SPAK-un

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Përpara bashkisë së Tiranës opozita zhvilloi sot protestën e radhës, ku kërkoi dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë protestës deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e akuzuar atë se është i përfshirë në korrupsion.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi duke folur në protestën para bashkisë së Tiranës, kërkoi largimin e Erion Veliajt.

Blushi tha se “është dita që Erjon Veliajn ta arrestojmë ne, në mënyrë që askush më të mos guxojë të fusë duart në xhepat tuaj”.

“Jemi shumë pranë fitores. Edhe pak kohë na duhet për ta çmontuar këtë regjim, që kapi për fyti edhe drejtësinë, që ka kapur për fyti edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku kemi depozituar edhe aty një tjetër kallëzim për 50 milionë euro taksë të Infrastrukturës së Përkohshme Arsimore, për shkollat që nuk u ndërtuan kurrë. Është koha të organizohemi më fort, askush të mos ketë besim te SPAK-u, që nuk është gjë tjetër veçse një luledielli e orientuar qartësisht nga qeveria, që pret urdhrin e Edi Ramës se kur duhet të arrestojë Erjon Veliajn”, tha Blushi.

Koordinatori rajonal për Tiranën i PD-së, Klevis Balliu duke folur në protestën kundër Erion Veliajt akuzoi SPAK se, po le të lirë kryetarin e bashkisë së Tiranës që të prishë provat në çështjet ndaj tij.

“Si ka mundësi që liderin e opozitës e mbajtën në ‘arrest shtëpie’, se kishin frikë se mos prishte prova, po ky mafiozi që ka kapur gjithë drejtësinë, a nuk keni frikë se po ju prish provat? Pse është i lirë, pse është në punë ky hajdut? Ky kishte ngritur skemën më të tmerrshme, e kam thënë dhe e përsëris, këta nuk janë qeveritarë të shtetit, por qeveritarë të shoqatave. Ky nuk është kryetar bashkie i një qyteti, por kryetar bashkie për shoqatat”, tha Balliu.

Opozita prej disa muajsh po proteston përpara bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

/k.s/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransparenca e financave publike, Malaj: Të parët në rajon, më afër me vendet e BE-së
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE fillon dërgimin e ndihmave humanitare për Sirinë nëpërmjet Turqisë