TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian në Bruksel.
Bardhi gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian deklaroi se Parlamenti në Shqipëri është jofunksional, për shkak se mazhoranca i refuzon opozitës të drejtat kushtetuese.
“Biem besoj dakord të gjithë se integrimi europian është një objektiv i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës. Unë dua të sqaroj, edhe për të qenë të qartë, që në fakt arsyet e mungesës së normalitetit aktualisht në Kuvend gjenden në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian”, nisi fjalën e tij Bardhi.
“Siç evidentohet aty situata jo normale, apo funksionimi jo normal i parlamentit lidhet me disa të drejta kushtetuese që kanë deputetet e opozitës. Nuk është e vërtetë që ne kemi depozituar në të njëjtën kohë 8 kërkesa për komision hetimor. Ne kemi dorëzuar 8 kërkesa për komision hetimor gjatë 2 viteve të kësaj legjislature dhe ç’është e vërteta ekzaktësisht pas atij komisioni hetimor që përmendi kolegu Majko që ishte i suksesshëm dhe falë punës së tij prokuroria e posaçme arriti të provonte akuza për korrupsion ndaj disa ish zyrtarëve, për atë që quhet afera e inceneratorëve”, tha Bardhi.
“Që nga ai moment mazhoranca ndaloi çdo ngritje të komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita. Në total janë 8 dhe vetëm sesionin e fundit janë rrezuar brenda 1 jave 3 kërkesa për komisione hetimore. Janë refuzuar 4 kërkesa për interpelancë nga kryeministri i vendit për çështje që kanë interes për publikun. Mbahen të pashqyrtuara 31 projekt ligje të deputeteve te opozitës, ndërkohë sa i takon ligjeve me porosi ti deputeteve apo kolege te mazhorancës ato miratohen pa u futur në kalendar, pa kaluar 2 javë nga depozitimi i tyre në parlament”, vijoi Bardhi.
“Kjo është arsyeja pse sot deputetët e opozitës nuk kanë lejuar funksionimin normal të parlamentit pa u rikthyer ato të drejta qe atyre ia njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, tha Bardhi.
Ai shtoi se “një tjetër çështje që në fakt e ka futur në ngërç kuvendin lidhet me nevojën qe ka Shqipëria për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ashtu si raporti i Komisionit Europian evidenton, prej 22 muajsh në Kuvendin e Shqipërisë ne kemi rënë dakord të ngremë një komision bipartizan për te realizuar reformën zgjedhore, i cili është bllokuar, nuk ka kryer asnjë veprimtari, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje”, tha Bardhi.
“Nëse analizon 2 raportet e fundit të misionit te vëzhguesve të OSBE ODIHR do të vërehen çështje që vënë në pikëpyetje garantimin e standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, tha Bardhi.
“Megjithëse e kam thënë dhe dua ta përsëris edhe këtu, për ne opozitën nxitja ndaj institucioneve të drejtësisë për të vepruar në përputhje me ligjin dhe për të vënë përpara drejtësisë cilindo që me fakte dhe prova ka abuzuar me ligjin, ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë”, përfundoi Bardhi.






















