Ballina Flash

Miratohet marrëveshja për aktivitetet e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për Aktivitetet Operacionale të Kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë”

Në drejtimin e kryetarit, Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme zhvilluar online mori në shqyrtim projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për Aktivitetet Operacionale të Kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën E Shqipërisë”

Të ftuar për të bërë shpjegimin e projektatit ishin Juljan Hodaj zëvendësministër në ministrinë e Brendshme dhe Saimir Boshnjaku Drejtor i Departamentit per Kufirin dhe Migracionin

Në hyrje të fjalës së tij zëvendësministri Hodaj shprehu shkurtimisht përfitimet që ka pasur pala shqipare nga bashkëpunimi në të kaluarën me misionin e FRONTEX në menaxhimin e kufirit si dhe parimet në të cilat do të bazohet veprimtaria e palëve, qëllimi për rregullimin e të gjitha çështjeve të nevojshme, lidhur me trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar.

Hodaj theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje e cila konsiston në menaxhimin dhe zgjidhjen e problematikave lidhur me migracionin dhe kërcënimet e mundshme në të ardhmen, si dhe në zgjidhjen e krimeve të rënda ndërkufitare.

“Nisma për këtë marrëveshje është ndërmarrë nga Bashkimi Evropian dhe synon rregullimin e të gjitha çështjeve të nevojshme për dislokimin e ekipeve të menaxhimit të kufirit nga trupat e përhershme të Agjencisë së Rojës Kufitare dhe Bregdetare Evropiane në Republikën e Shqipërisë (në vijim Agjencia), ku anëtarët e ekipit mund të ushtrojnë kompetenca ekzekutive”, tha zëvendësministri Hodaj.

Deputeti Denis Deliu, në cilësinë e relatorit për marrëveshjen në komision u shpreh se sipas marrëveshjes, bashkëpunimi bazohet në parimet e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë, ku për secilin aktivitet operativ do të dakordësohet plani operativ ndërmjet Agjencisë dhe Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja detyron të gjithë personat që marrin pjesë në veprimtarinë operacionale të ruajnë standardet më të larta të integritetit, sjelljes etike, profesionalizmit dhe respektimit të të drejtave themelore, si dhe të përmbushin detyrimet që u ngarkohen nga dispozitat e planit operativ.

Më tej, Deliu renditi disa nga përparësitë që priten nga zbatimi i këtij projektligji janë në lidhje me fushën e migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar, ku theksoi se, palët do të forcojnë bashkëpunimin në këtë aspect duke ndërmarrë masa të përbashkëta kundër kërcënimeve ndërkufitare.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen në fjalë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë
Artikulli tjetërBardhi në PE: Opozitës i refuzohen të drejtat kushtetuese