TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, Anke Weber, deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe se rritja ekonomike po udhëhiqet nga turizmi dhe ndërtimi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete si dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pas përfundimit të misionit, Weber tha se borxhi publik po stabilizohet dhe inflacioni gjithashtu.
“Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri. Falë rimëkëmbjes së fortë të turizmit, rritja vitin e shkuar kaloi pritshmëritë me afër 5 %. Pozicioni i jashtëm i vendit pati një përmirësim të dukshëm. Është për t’u vlerësuar që autoritetet kanë mbajtur borxhin publik nën kontroll me një raport të borxhit tashmë nën nivelet e para pandemisë. Politika monetare është e fokusuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e inflacionit, i cili ka rënë gradualisht, pasi arriti pikën kulmore edhe pse në nivel më të ulët krahasuar me vendet e rajonit”, u shpreh përfaqësuesja e FMN-së.
Ajo theksoi se FMN besonte se turizmi do të vijonte të ishte motor i rritjes së ekonomisë.
“Ne besojmë se ekonomia ka hapësirë për manovër dhe se turizmi do të vazhdojë të jetë një motorr i rritjes. Ne parashikojmë një rritje prej 3.6 %. Ekziston nevoja për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale. Autoritet pritet të plotësojnë kërkesën minimale për një balancë primare zero që prej këtij viti një vit para afatit në ligjin organik të buxhetit që është një arritje jo e vogël”, u shpreh Weber.
Ajo theksoi nevojën e praktikave më të forta në menaxhimin e investimeve publike, që sipas saj, do të mundësonin shpenzime më produktive duke përfshirë ato në arsim dhe në përshtatjen klimatike.
Njëkohësisht theksoi si thelbësore nevojën për monitorim dhe zbutje të rreziqeve fiskale, përfshirë edhe ato që lindin nga PPP dhe nga ndërmarrjet shtetërore.
Përfaqësuesja e FMN-së deklaroi edhe se politika monetare duhet të fokusohet drejtpërdrejt në kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, ndërkohë që kursi i këmbimit, vuri në dukje Weber, duhet të mbetet amortizuesi kryesor.
“Kthimi i inflacionit ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme të normës bazë, megjithatë ka ende pasiguri rreth ecurisë së inflacionit. Kursi i lirë i këmbimit i ka shërbyer mirë ekonomisë shqiptare. Vlerësimi i monedhës vendase ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste, duke sjellë përfitime për popullin, vaçanërisht për shtresat më të vafra”, u shpreh shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë.
Nga ana tjetër Weber theksoi se është koha e duhur për vijimin e reformave.
“Me një konjukturë aktuale të favorshme, është koha e duhur për të vënë në zbatim një sërë reformash për të siguruar rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse. Ne vërejmë përparimin e rëndësishëm që është bërë në disa fusha, si ajo në drejtësi dhe adresimin e dobësive në luftën kundër pastrimit të parave. Vendimi i FATF është një vendim i madh dhe i rëndësishm për të nxjerë Shqipërinë nga “lista gri”. Tani është koha e duhur për të avancuar më tej drejt përmirësimit të mjedisit të biznesit për të ruajtur e zhvilluar kapitalin njerëzor dhe për të bërë përparim në përshtatjen ndaj kushteve klimaterike”, tha ajo.
/r.e/























