TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Forcimi i bashkëpunimit të parlamentit austriak dhe atij shqiptar, në kuadër edhe të sfidave që paraqet siguria globale, ishte në fokus të diskutimeve mes kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço, me kryetarin e Komisionit të Sigurisë në parlamentin austriak, David Stögmüller.
Në një njoftim për mediet, Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë detaje mbi takimin e zhvilluar sot në kryesinë e Kuvendit.
“Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço, zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit të Sigurisë të Parlamentit Austriak, David Stögmüller. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin mes dy parlamenteve, situatën e sigurisë në botë, forcat e armatosura, emergjencat civile, mbikëqyrjen e agjencive të inteligjencës dhe mënyrën e ushtrimit të kontrollit parlamentar në parlamentet respektive”, njofton Kuvendi.
“Në përfundim të takimit të dy kryetarët u zotuan në vijimin e bashkëpunimit dhe organizimin e një takimi të përbashkët mes dy komisioneve homologe, për të shkëmbyer dhe ndarë eksperiencat më të mira”, vijon Kuvendi.
/r.e/























