TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me fermerët në Baldushk, akuzoi qeverinë se nuk po i jep vëmendjen e duhur sektorit të bujqësisë.
Sipas Bashës, “bujqësia po vuan sot pasojat e krizës dhe mungesës të vëmendjes së qeverisë. Fermerët shqiptarë paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe kanë mbështetjen më të ulet me subvencione për prodhimin e tyre”.
“Ndërkohë që fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe krejt i vetëm në një treg të pabarabartë, fermeri kosovar dhe ai maqedonas përfiton çdo vit subvencione nga shteti dhe një sërë lehtësirash të tjera”, thekson Basha.
“Bujqësia duhet të jetë prioritet për çdo qeveri. Subvencionet dhe investimet në infrastrukturën bujqësore duhet të jenë një zë i fortë ne buxhetin e shtetit. Duhet të krijohen lehtësirat e nevojshme për biznese prodhuese, të cilat do t’i përpunojnë produktet bujqësore që ato të mos kalben, në këtë mënyrë ndihmojnë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, shtoi Basha.
“Shqipëria nuk do të punojë më për 5 veta, por do të jetë vendi i shanseve dhe mundësive për të gjithë që duan të jetojnë dhe punojnë ndershmërisht”, vijoi Basha.
/r.e/























