TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila dhe prefekti i Qarkut Gjirokastër Odise Kote zhvilluan takimin e radhës me Taskforcën Rajonale për paketën e sigurisë në shkolla në qarkun e Gjirokastrës.
Në takim morën pjesë drejtues të institucioneve në nivel vendor si Drejtoria Vendore e Policisë, Policia Bashkiake, Drejtoria Rajonale e AKU-së, dega rajonale e IKMT Gjirokastër, dega rajonale e ISHSH-së, NJVKSH-së Gjirokastër dhe Spitali Rajonal “Omer Nishani”.
Zv.ministri i Brendshëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit si një ekip ndërinstitucional.
“Ne nuk duhet të punojmë vetëm një ditë, por çdo orë e çdo ditë të vitit me të njëjtin përkushtim”, nënvizoi Mahila.
Prefekti i Qarkut u shpreh se në të gjitha institucionet arsimore nisi normalisht me kushte të përshtatshme e të përmirësuara rrënjësisht dita e parë e shkollës.
Në rreth 85 % të 133 institucioneve arsimore që ka qarku Gjirokastër, gjatë stinës së verës janë kryer punime, restaurime dhe përmirësime të ndjeshme të infrastrukturës shkollore e të mjediseve sportive.
/r.e/

























