Ballina Flash

Kushtet atmosferike, Gjoni për ATSH: Të martën nisin reshjet

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se në muaji gusht temperaturat më të larta janë shënuar nga data 21 gusht deri më 28 gusht, teksa nga e marta, 29 gusht deri në 4 shtator do të ketë një rënje të temperaturave, madje dhe reshje në ultësirën perëndimore të vendit.

“Në muajin gusht, përgjatë datave 21-28 gusht, që ishte dhe java më e nxehtë e muajit, temperaturat arritën në 37-38 gradë”, thekson Gjoni

“Kjo javë 29 gusht – 04 shtator sjell uljen e temperaturave si të vlerave maksimale, ashtu dhe ato minimale. E marta në mëngjes pritet të sjell reshje mesatare dhe intensive kryesisht qarqet Shkodër, Lezhë dhe ultësira perëndimore e Shqipërisë. Ndërsa të mërkurën do të ketë pak reshje të dobëta lokale”, u shpreh Gjoni.

Gjoni tha se “Java e parë e shtatorit nuk pritet të jetë e nxehtë. Ndërsa në total muaji shtator pritet të jetë në nivele normale të temperaturave me një luhatje +1 grade mbi normën 30 vjeçare”.

Sipas buletinit të shpërndarë nga IGJEUM, vihet re se “gjatë ditës së martë pritet të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit. Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Nesër (e martë, dt.29) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 23 / 34°C; në vendet e ulëta: 20 / 28 °C; në vendet malore: 16 / 25 °C”, bëhet me dije në buletinin e publikuar nga IGJEUM. Ndërsa zonat më të rrezikuara për përmbytje apo për rrëshqitje të dheut janë qarku i Tiranës dhe ai i Fierit. Ndërkohë rrezik i moderuar për këto dy fenomene pritet të kenë qarqet e zonës së ultësirës perëndimor, Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë, si dhe qarku i Gjirokastrës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – Ministria e Mbrojtjes: Rusia ka të ngjarë të anulojë manovrat ushtarake
Artikulli tjetërKule: Mbi 15 mijë aplikime në Fakultetin Ekonomik