Ballina Flash

Kule: Mbi 15 mijë aplikime në Fakultetin Ekonomik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule deklaroi sot se nesër, 29 gusht, nisin regjistrimet e studentëve në këtë fakultet.

Në një deklaratë  për mediet, Kule tha se “janë 15 700 aplikime, 8500 aplikantë , pra 43% e maturantëve të Shqipërisë kanë aplikuar të ndjekin Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Kjo shifër tregon faktin e besimit që maturantët dhe familjarët e tyre kanë për këtë fakultet dhe besimin që transmetohet nga tregu sepse nuk është besim abstrakt, por një besim i përpiluar nga realiteti i punësimit të tyre”.

Kule tha se “maturantët të mos shqetësohen se sikur të gjithë të regjistrohen ata që janë shpallur fitues, tek lista mbeten 291 vende të lira, vende të cilat janë të lira pasi maturantët janë shpallur fitues në një nga katër degët e Fakultetit të Ekonomisë. Përveç faktit që nga ata që janë shpallur fitues mundet të regjistrohen ashtu siç është praktika e çdo viti në Universitet dhe fakultete të tjera si në mjekësi, farmaci juridik etj”.

“Maturantët të mos nxitojnë nëse kanë vendosur të jenë studentë të Fakultetit të Ekonomisë dhe të jenë pas 5 vitesh specialistë të  kërkuar nga tregu shqiptar”, shtoi Kule.

Fakulteti i Ekonomisë publikoi në 26 gusht listat e plota paraprake të maturantëve fitues që do të mund të vazhdojnë studimet në 4 degë të ndryshme në këtë fakultet. Nesër, 29 gusht, fillojnë regjistrimet e kandidatëve fitues, pranë Fakultetit të Ekonomisë.

/k.s/

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushtet atmosferike, Gjoni për ATSH: Të martën nisin reshjet
Artikulli tjetërFondet IPARD, Tabaku letër zyrës së hetimit të fondeve të BE-së