Ballina Ekonomi

AMF, tryezë diskutimi për zhvillimin e tregjeve të kapitalit

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një tryezë diskutimi “Mbi zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, drejtues të bankave tregtare, fondeve të investimeve, Bursës, si edhe aktorë të tjerë të tregjeve të kapitalit.

Në fjalën e mbajtur, drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i AMF u ndal tek rëndësia e zhvillimit të tregjeve të kapitalit si burim potencial ende i pashfrytëzuar për diversifikimin e alternativave të investimit, si edhe të mundësive të financimit.

Mete u shpreh se, “Dokumenti i Politikave është një strategji për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, me objektiva konkretë, i cili kërkon ndërveprimin e të gjithë aktorëve me rol kyç, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, si edhe operatorët e tregut. Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, listimi i kompanive me kapital shtetëror, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, siç janë instrumentet e gjelbra (green), eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve”.

Sipas tij. dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

“Ligjet e reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, të cilat harmonizojnë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, kanë përmirësuar ndjeshëm kuadrin e nevojshëm ligjor, plotësuar tashmë me të gjitha aktet e nevojshme nënligjore. Kuadri ligjor, në linjë me Direktivat Evropiane, si edhe plotësimi tërësor i infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Ligjet e reja kanë zgjeruar alternativat e investimit, mundësitë e ndërlidhjes me tregjet globale, si edhe ofrimin e një game të gjerë të instrumenteve financiare”, theksoi Mete.

Ai u shpreh se, “miratimi i ofertës së parë publike është një moment shumë i rëndësishëm për tregun shqiptar të kapitalit, i cili duhet të shërbejë si një sinjal për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Kjo është hera e parë që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shtuar kështu alternativat e investimit për investitorin shqiptar, si edhe mundësitë për sigurimin e aksesit në kapital për biznesin vendas”.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF foli për ecurinë e fondeve të investimit, të cilat pas rënies së vlerës së aseteve, si pasojë e efekteve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normave të interesit në vitin 2022, i janë rikthyer rritjes në 3-mujorin e parë të vitit 2023.

Ai theksoi se, nga monitorimi i treguesve të likuiditetit, ashtu siç u theksua edhe në raportin e fundit të FMN, rezultoi se të gjitha fondet kanë qenë në përputhje më kërkesat rregullative, si edhe në asnjë rast nuk u cenua stabiliteti financiar.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani: Është e rëndësishme të ulen tensionet në veri dhe t’i jepet hapësirë dialogut
Artikulli tjetërStërvitja “Astral Knight 23”, Peleshi: Standardizim i procedurave operacionale me forcat aleate