Ballina Ekonomi

Si funksionon investimi në bono thesari, BSH: Rrezik i ulët dhe përfitim i kënaqshëm

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Banka e Shqipërisë shprehet se avantazhi kryesor i investimit në bono thesari dhe obligacione është ofrimi i një alternative investimi e cila ka rrezik të ulët dhe përfitim të kënaqshëm.

Ekspertët e BSH-së, i thanë ATSH-së se titujt qeveritarë paraqesin avantazh sa i përket depozitave pasi sigurojnë një kthim më të lartë kundrejt të njëjtit afat kohor si dhe likuiditet më të lartë pasi potencialisht mund të shiten apo kthehen në likuiditet para afatit të maturimit, gjë që përgjithësisht depozitat nuk e ofrojnë, ose kur e ofrojnë mundësinë e thyerjes para afatit kostoja shoqëruese është relativisht e lartë (humbje e interesit për kohën e vendosjes së depozitës).

BSH-ja shpjegon se titujt qeveritarë janë instrumente financiare të cilat përdoren nga shteti shqiptar për të realizuar financimin e deficitit buxhetor si dhe për të rinovuar borxhin publik ekzistues.

Në bazë të maturitetit të titullit financiar ato ndahen në afatshkurtër (kryesisht bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor) si dhe tituj me maturim mbi një vit të cilët emërtohen obligacione. Aktualisht qeveria shqiptare emeton obligacione me maturim 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15-vjeçar.

Bonot e thesarit shiten me ulje, duke nënkuptuar një çmim më të ulët sesa vlera nominale e blerë dhe në maturitet investitori merr mbrapsht vlerën nominale të investimit. Diferenca ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes është interesi i paguar për këtë investim. P.sh., nëse një individ blen një bono thesari 12-mujore me yield/interes 5.83% do të paguajë një çmim prej 945,054.29 lekë dhe pas një viti do të paguhet në shumën 1,000,000.00 lekë ku diferenca prej 54,945.72 lekë përfaqëson interesin e përftuar nga investimi në bono thesari 12-mujore.

Ndërsa për obligacionet, interesi paguhet në formën e kuponit mbi vlerën nominale dhe paguhet dy herë në vit. Psh, nëse një individ investon 1 milion lekë obligacione me maturitet 10-vjeçar me kupon 7.2% do të marrë dy herë në vit, për 10 vjet, flukse pagesash prej 36 mijë lekë (7.2% *1,000.000.00 lekë / 2).

Përgjithësisht, maturitetet afatgjata ofrojnë një interes/kthim më të lartë sesa titujt afashkurtër, në këmbim të heqjes dorë nga mbajtja e kursimeve në formë likuide. Titujt e thesarit mund të shiten para datës së maturimit, por për këtë mbajtësi i titullit duhet të gjejë një blerës (bankë të nivelit të dytë). Veprimet e shkëmbimit të pronësisë të titullit para maturitetit quhet në zhargonin ekonomik dhe si treg sekondar i titujve të qeverisë.

Përgjithësisht titujt e qeverisë konsiderohen pa risk krediti pasi sipas ligjit nr. 9665 datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, neni 13, qeveria merr përsipër garantimin e pagesave të borxhit shtetëror, duke i dhënë përparësi kundrejt gjithë detyrimeve të tjera. Në këtë kuptim, investimi në tituj të qeverisë ofron një alternativë të mirë investimi me rrezik të ulët dhe kthim/interes të kënaqshëm.

Yieldet e titujve të thesarit kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej fillimit të vitit, kryesisht si pasojë e rritjes së inflacionit në vendin tonë dhe në rang global në përgjithësi, si dhe pritjeve të aktorëve të tregut mbi normalizimin e politikës monetare të bankës qendrore mbi normën e interesit në periudhën e ardhshme.

Banka e Shqipërisë prej muajit mars 2022 ka rritur normën e interesit 5 herë, në nivelin 2.75% aktualisht, për mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19, MSHMS: 18 të infektuar në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërITALI – Mbi 600 raste abuzimi në Kishën Katolike