Ballina Bota

SHBA – Blinken: Mobilizimi i pjesshëm tregon vështirësitë e Kremlinit

UASHINGTON, 22 shtator /ATSH-ANSA/ – Vendimi i presidentit Putin për mobilizimin pjesërisht të qytetarëve rusë duke i urdhëruar ata për të luftuar në Ukrainë reflekton vështirësitë e Kremlinit në fushën e betejës, jopopullaritetin e luftës dhe ngurrimin e rusëve për të luftuar, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Putini nuk po vepron nga pozicioni i forcës, por kjo është më tepër një shenjë e dështimit të misionit të tij”, shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që urdhëron mobilizimin e pjesshëm të forcave të armatosura ruse, i cili do të fillojë sot.

Masa erdhi një ditë pasi separatistët e mbështetur nga Moska njoftuan planet për të mbajtur referendume për bashkimin me Rusinë në rajonet e pushtuara të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhias, më vonë këtë javë, duke shkaktuar dënime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.

Ai erdhi gjithashtu pasi forcat ukrainase vazhduan me një varg suksesesh duke rimarrë territore të pushtuara nga Rusia që nga fillimi i luftës, në fund të shkurtit.

‘’Rusia ka mobilizuar  300 000 rezervistë për kontrollin e luftës në Ukrainë’’, deklaroi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE: Rusët që largohen nga vendi pas urdhërit të mobilizimit mund të kërkojnë azil
Artikulli tjetërKushi: Pagat e mësuesve, 40% rritje deri në fund të mandatit qeverisës