TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një dëgjesë publike për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre se, nuk do të kthehemi në asnjë mënyrë tek batërdia e lojërave të fatit, por e vetmja konsideratë që po bëhet është për bastet sportive online.
Rama theksoi vullnetin që ka pasur qeveria për të luftuar fenomenin e lojërave të fatit.
“Nga ana tjetër fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie, që pavarësisht arrestimeve, dënimeve, në një pjesë të caktuar dhe gjykatat kanë dhënë kontributin e tyre negativ, siç e kanë dhënë kudo në të gjithë rrugët e jetës, nuk, sidoqoftë, ka rënë si aktivitet, nuk ka rënë si numër pjesëmarrësish, e bën të domosdoshëm këtë reflektim që bëjmë sot”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nuk duhet patur asnjë iluzion dhe asnjë keqkuptim për kthimin tek sallat, lojërat dhe tek batërdia e lojërave të fatit, as për baste, as për makineta, as për dreq as për shejtan.
“E vetmja konsideratë që ne po bëjmë është për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër. Pavarësisht se ka shumë diskutim mbi këtë që duhet dhe kjo, duhet dhe ajo. Jo salla parazitësh dhe parazitizmi në Shqipëri ku mblidhen njerëzit dhe harxhojnë orë të tëra dhe luajnë për të hedhur në erë edhe ato kursime që prindërit ua japin fëmijëve në dorë nuk do të ketë”, deklaroi Rama.
/r.e/























