Ballina Aktualitet

Ylli: Bastet t’i kontrollojë shteti si në Europë, e jo të fortët

TIRANË, 31 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli deklaroi sot se në vendet europiane, bastet kontrollohen nga shteti, që më pas me paratë që fiton, i investon në fusha sportive, në pallate të sportit, në pishina.

Gjatë dëgjesës publike mbajtur sot në Kryeministri nëse duhet që të hapen bastet sportive, Ylli deklaroi se bastet online po kontrollohen nga të fortët.

Sipas tij, “ky është një fenomen që tani po luhet më shumë se më parë dhe shteti nuk ka asnjë lloj kontrolli”.

“Luhet dhe me 20 dhe 30 milionë lekë në javë. Dhe bëjmë një pyetje ku i gjejnë këto para? Janë para droge, kontrabande, para në rrugë të pista. Pra këtu është një fenomen që unë kam thënë që t’i mbyllim dhe unë them sot t’i mbyllim zoti Kryeministër, por të mbyllim baste në të zezë, t’i nxjerrim në dritë, t’i kontrollojë shteti dhe jo t’i kontrollojë privati”, theksoi Ylli.

Sipas tij, kompanitë e basteve janë në të gjithë Evropën.

“Nuk ka shtet evropian dhe ligj evropian që nuk ka kompanitë e basteve. Ne pretendojmë të hyjmë në Evropë. Si do t’i themi qytetarit evropian kur të vijë në Shqipëri që do të luajë me 1 dollar, 2 dollarë apo 5 dollarë që se kemi ligjin?! Ligjet tona do njësohen me ligjet e evropiane. Unë kam një dosje aty ku janë të gjithë ligjet evropiane dhe të botës, duke filluar nga SHBA, Australia, Kanadaja, Gjermani, Franca dhe Italia dhe kemi përshtatshmëri që ne mund t’i organizojmë dhe me një shumë me kartë identiteti që një person nuk mund të luaj më shumë në Suedi me 500 euro sepse llogarite që paga minimale mund të jetë 3000 euro dhe ai i ka thënë 500 euro mund të luash dhe shteti e kontrollon. Sot luhet me miliona dhe sporti nuk merr asnjë lek. Komiteti Olimpik Italian merr 500 milionë euro nga buxheti i shteti dhe merr dhe përqindjen më të madhe për sa i përket lotarive dhe kompanive të basteve dhe jo vetëm të futbollit, por dhe të volejbollit, dhe të kuajve, dhe të basketbollit, dhe të çdo lloj beti që luhet. Pra kur shtete evropiane si Anglia, si Franca, si Gjermania i kanë këto ligje dhe i kanë me standarde dhe i kontrollon shteti”, nënvizoi Ylli.

Në vijim, ai shtoi se bastet online duhet që të dalin nga errësira në dritë të diellit, t’i kontrollojë shteti dhe t’i jepet mundësi sportit për të bërë infrastrukturë sportive, qendra sportive, palestra, fusha futbolli, pallate sporti, pishina.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi një pishinë me standarde evropiane me 50 m dhe është sport që është i detyruar për t’u përfaqësuar në olimpiadë. Nuk kemi një pallat sporti me standarde evropiane dhe pallati i sporti që është i pari që u bë në historinë 30 vite nuk i ka standardet për të luajtur ekipi kombëtar. Ne kemi mundësi me këto të ardhura dytësore që të mos i kërkojmë buxheti të shteti gjithmonë lëmoshë”, deklaroi Ylli.

Ai përmendi modelet si të Italisë, Francës, Gjermanisë apo Suedisë që merr 810 milionë euro në vit nga kompanitë e basteve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: S’do kthehemi tek batërdia e lojërave të fatit, në konsideratë vetëm bastet online
Artikulli tjetërDuka: Të ardhurat nga bastet, të investohen për infrastrukturë sportive