Ballina Bota

Rushdie në frymëmarrje me oksigjen, rrezikon të humbasë njërin sy pas sulmit në SHBA

NJU JORK, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Shkrimtari i njohur Salman Rushdie u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti letrar një ditë më parë në Nju-Jork.

Shkrimtari 75-vjeçar u transportua me helikopter drejt spitalit për një ndërhyrje kirurgjikale, por gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë.

Ai është goditur të paktën një herë me thikë në qafë dhe në bark, sipas burimeve zyrtare të policisë njujorkeze.

Sipas njoftimeve më të fundit të medias amerikane, përfshi edhe gazetën “New York Times”, agjenti i shkrimtarit, Andrew Wylie është shprehur se klienti i tij ishte në frymëmarrje të drejtuar dhe e kishte të pamundur të fliste.

“Lajmet nuk janë të mira”, tha ai. “Salman ka gjasa të humbasë njërin sy. Nervat e njërës dorë i ka të dëmtuara. Mëlçia e tij gjithashtu është prekur nga thika dhe për pasojë është dëmtuar”, shtoi ai.

Autori i sulmit fizik u hodh në skenën e aktivitetit, që po ndiqej nga qindra njerëz, dhe e goditi me thikë shkrimtarin e njohur, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Organizatorë të aktivitetit dhe pjesëmarrës ndërhynë dhe e neutralizuan autorin e sulmit, një 24-vjeçar, i cili u arrestua më pas nga policia.

Rushdie u ndihmua fillimisht nga një mjek i pranishëm në audiencën e aktivitetit dhe më pas u dërgua në spital me helikopter.

Autori i ngjarjes mendohet se ka vepruar i vetëm, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Rushdie po mbante një referat në një qendër kulturore si pjesë e një serie aktivitetesh me titull “Më Tepër se një Strehë”, e organizuar për të diskutuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si strehë e sigurt për shkrimtarët dhe artistët e persekutuar në mërgim.

Vepra e Rushdies e titulluar “Vargje Satanike” është e ndaluar në Republikën Islamike të Iranit që prej vitit 1988, pasi myslimanët e konsiderojnë blasfemi. Një vit më herët, udhëheqësi i atëhershëm i Iranit, Ajatollah Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një fatva ose dekret për vdekjen e Rushdie.

Një shpërblim prej më shumë se 3 milionë dollarësh është premtuar për këdo që do të vriste shkrimtarin.

Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenja urrejtjes ndaj Rushdie vazhdon.

/u.sh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRadhë në Kakavijë, Meta: Të kontaktohet me palën greke për lehtësimin e lëvizjes
Artikulli tjetërKalaja: Ahmetaj ka firmosur tre VKM pas shkarkimit nga detyra, SPAK të nisë hetimet