Ballina Aktualitet

Radhë në Kakavijë, Meta: Të kontaktohet me palën greke për lehtësimin e lëvizjes

TIRANË, 10 gusht /ATSH-I.Vata/- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me radhët e gjata në Kakavijë të qytetarëve që vijnë në Shqipëri.

Në një reagim në rrjetet sociale Meta i bën thirrje qeverisë të vendos kontakte me qeverinë greke për lehtësimin e lëvizjes në kufi.

“I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar.Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm! U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur dhe të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t’i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë”, shprehet ai.

“I inkurajoj gjithashtu autoritetet greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të ngushta tradicionale, të bëjnë gjithçka për të shmangur situata të papranueshme dhe kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, imazhet e të cilave i turpërojnë të dyja vendet tona”, tha Meta.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAfro 190 raste të virusit të Nilit Perëndimor identifikohen në BE
Artikulli tjetërRushdie në frymëmarrje me oksigjen, rrezikon të humbasë njërin sy pas sulmit në SHBA