Ballina Aktualitet

KQZ kërkesë informacioni bashkisë së Durrësit lidhur me pretendimet e opozitës

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një kërkesë informacioni Bashkisë Durrës pas pretendimeve të ngritura nga PD dhe LSI në seancën publike të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në kërkesën e KQZ drejtuar kryetares së bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako thuhet se, në mbledhjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të datës 2 shkurt është parashtruar një denoncim nga PD dhe LSI, ku pretendohet se, “bashkia Durrës ka miratuar vendime për miratimin e listave për 526 familje që përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit, për ndërtesat e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, që variojnë nga 100-500 mijë lekë. Ka dyshime të arsyeshme se këto grante/fonde janë përdorur për qëllime elektorale dhe zgjedhore, për shkak se po shpërndahen në prag të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarë bashkie të datës 6 mars 2022”.

Në kërkesën e KQZ kërkohet informacion brenda tre ditëve nga bashkia e Durrësit nëse, është marrë ky vendim nga ana e bashkisë së Durrësit.

Gjithashtu KQZ kërkon që, të jepet nga bashkia Durrës një shpjegim në lidhje me procedurën që është ndjekur dhe nëse kjo procedurë vjen në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor, si dhe akteve nënligjore të miratuara nga KQZ, të cilat ndalojnë nxjerrjen e akteve ligjore/nënligjore që kanë për qëllim të ofrojnë shpërblime për kategori të caktuara të qytetarëve.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCila është formula për këngët e suksesshme?
Artikulli tjetërLuiza Gega rekord të ri në Francë, Veliaj: Rezultati kur fondet shkojnë tek talentet