Ballina Flash

Dorëzohet në Kuvend regjistri i të dënuarve për krime seksuale

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Deputetja e LSI, Erisa Xhixho ka dorëzuar sot në Kuvend projektligjin për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale.

Në një konferencë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, mbi nismën ligjore për regjistrimin e të dënuarve për krime seksuale, Xhixho tha se, “do të bëjë objekt të shqyrtimit dhe të miratimit në Kuvend ligjin për ‘Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale’”.

“Duke e ftuar Kuvendin që të bëhet i gjithi pjesë e kësaj nisme, në fakt unë synoj të përfshij gjithashtu edhe rrjetin e OJQ-ve, të gjithë shoqërinë tonë që të ndërgjegjësohet për domosdoshmërinë e këtij ligji”, tha Xhixho.

“Kam dorëzuar në Kuvend projektligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale, miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e fëmijëve e grave nga dhuna seksuale! Kjo nismë bëhet edhe në kuadër të muajit të Fiongos Blu, ditëve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre”, u shpreh Xhixho.

Xhixho nënvizoi se, “Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale do të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale”.

“Në hartimin e këtij projektligji janë marrë për bazë eksperiencat më të mira nga një sërë vende të BE-së si Britania, Irlanda, Franca etj., dhe atyre të rajonit (p.sh. Maqedonia e Veriut)”, tha Xhixho.

“Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë”, shtoi më tej ajo.

“Projektligji ka për qëllim inkurajimin dhe përgatitjen e organeve kompetente shtetërore për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë, gratë dhe çdo individ nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, vepra penale që prekin jo vetëm dinjitetin e individit, por edhe shkaktojnë pasoja të rënda në funksionimin normal të qenies njerëzore, duke siguruar që regjistri të jetë një mjet efektiv për të identifikuar vendndodhjen e të dënuarve për krime seksuale dhe monitorimin e aktivitetit të tyre”, tha deputetja e LSI.

“Regjistri i mundëson Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë grabitqarët seksualë, pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat personale, vendbanimin, rrethin shoqëror, komunikimet, veprimtarinë dhe punën e tyre etj.”, u shpreh Xhixho.

“Regjistri, gjithashtu garanton ndalimin e personave të dënuar për krime seksuale për t’u punësuar dhe angazhuar si pjesë e personelit të institucioneve, agjencive, organizatave dhe çdo subjekti shtetëror dhe jo shtetëror që punon për fëmijët apo persona të tjerë të rrezikuar ose të pambrojtur në Republikën e Shqipërisë”, tha Xhixho.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – Xi Jiping drejt mandatit të tretë?
Artikulli tjetërPeleshi: Rritje me 30% e pagës së personelit të FA