Ballina Bota

TEHERAN – IAEA: Irani refuzon kontrollin e inspektorëve bërthamorë

TEHERAN, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Irani po bllokon monitorimin e plotë të programit të tij bërthamor, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

”Irani po u mohon inspektorëve mbikëqyrës bërthamorë qasjen në pjesët ku prodhohen pjesë për pasurimin e uraniumit”, theksoi një zëdhënës i IAEA-së.

Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi arriti një marrëveshje me Iranin më 12 shtator që do të lejonte IAEA-në rifillonte mirëmbajtjen e pajisjeve të saj të monitorimit dhe të zëvendësonte mjetet e ruajtjes për të siguruar kontrollin e pandërprerë të agjencisë mbi programin e diskutueshëm bërthamor iranian.

”Marrëveshja është zbatuar kudo, përveç procesit të centrifugimit në Karaj, në perëndim të Teheranit”, theksoi IAEA.

Zgjerimi i impianteve të pasurimit është shqetësim për IAEA dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Uraniumi i pasuruar ka një shkallë aq të lartë pastërtie saqë mund të shndërrohet shpejt më tej në përbërës armësh bërthamore.

Irani ndaloi respektimin e kushteve të dakordësuara të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 pas tërheqjes nga ana e SHBA-së.

Marrëveshja kishte për qëllim ta bënte më të vështirë për Teheranin të prodhonte armë bërthamore.

Negociatat në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit filluan në prill, por u pezulluan pas ndryshimit të qeverisë në Iran, në qershor./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRregullat e hyrjes në Zvicër për shtetasit shqiptarë
Artikulli tjetërPolicia e Kosovës nis implementimin e plani operativ ‘Siguria në shkolla’