TEHERAN, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Irani po bllokon monitorimin e plotë të programit të tij bërthamor, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
”Irani po u mohon inspektorëve mbikëqyrës bërthamorë qasjen në pjesët ku prodhohen pjesë për pasurimin e uraniumit”, theksoi një zëdhënës i IAEA-së.
Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi arriti një marrëveshje me Iranin më 12 shtator që do të lejonte IAEA-në rifillonte mirëmbajtjen e pajisjeve të saj të monitorimit dhe të zëvendësonte mjetet e ruajtjes për të siguruar kontrollin e pandërprerë të agjencisë mbi programin e diskutueshëm bërthamor iranian.
”Marrëveshja është zbatuar kudo, përveç procesit të centrifugimit në Karaj, në perëndim të Teheranit”, theksoi IAEA.
Zgjerimi i impianteve të pasurimit është shqetësim për IAEA dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Uraniumi i pasuruar ka një shkallë aq të lartë pastërtie saqë mund të shndërrohet shpejt më tej në përbërës armësh bërthamore.
Irani ndaloi respektimin e kushteve të dakordësuara të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 pas tërheqjes nga ana e SHBA-së.
Marrëveshja kishte për qëllim ta bënte më të vështirë për Teheranin të prodhonte armë bërthamore.
Negociatat në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit filluan në prill, por u pezulluan pas ndryshimit të qeverisë në Iran, në qershor./ /os/
