TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Ramiz Lalën, kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen që i përket ankimit të paraqitur nga Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ramiz Lala.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Ramiz Lala.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë në 26 korrik 2019 kryetarin e Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala i cili rezultoi i pastër në tri kriteret e Vetingut, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.
/r.e/























